Duhet bërë një marrëveshje për qetësim të përhershëm të situatës në veriun e Kosovës, e këtu duhet të përfshihen edhe zgjedhjet dhe kthimi i serbëve lokalë nëpër institucione.
Kështu ka deklaruar për mediet serbe eksperti për Ballkanin dhe bashkëpunëtori i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Veber (Bodo Weber).
Ai ka kritikuar qasjen kohëve të fundit të Bashkimit Evropian në raport me zhvillimet në Kosovë, përkatësisht kur bëhet fjalë për veriun.
Veber tha se pas zhvillimeve të majit dhe ngjarjeve të mëvonshme, Perëndimi dhe Bashkimi Evropian duhet të kishin lënë anash marrëveshjet për Kosovën nga fillimi i vitit dhe të gjenin një marrëveshje për qetësim të përhershëm në veri të Kosovës.
“Për mendimin tim, ajo marrëveshje do të përfshinte edhe kthimin e serbëve në institucione, përmes zgjedhjeve për kryetarë komunash dhe këshilla komunale, që do të ishte gjithashtu një mënyrë për t’u kthyer në polici dhe gjyqësor”,- ka deklaruar Veber për Tanjug.
Ai shtoi se në kontekstin aktual politik asgjë nuk i pengon kryetarët e komunave në veri të Kosovës që të japin dorëheqje dhe kjo, sipas tij, “do të ishte mënyra më e shpejtë për rizgjedhje”.