Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, i është drejtuar Këshillit Bashkiak me një letër zyrtare, për t’iu përgjigjur letres se derguar me heret nga KB-ja.
Në letër, Veliaj shkruan se Sekretari i Këshillit Bashkiak, nuk mund të marrë rolin e një organi kolegjial. Kujtojmë se Këshilli Bashkiak, në përgjigje të kërkesës së Veliajt për të marrë pjesë në mbledhjen që do të vendoset neser për shkarkimin e tij, firmosur nga sekretari, i komunikoi kryebashkiakut aktual se në rast se nuk mund të jetë i pranishëm fizikisht, ai ka të drejtë të paraqesë me shkrim mendimet dhe kundërshtimet e tij.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj: Në përgjigje të shkresës suaj, me firmën e Sekretarit të Këshillit Bashkiak, evidentojmë se nuk përmban vendimmarrjen me votim të Këshillit Bashkiak, lidhur me garantimin e të drejtave Kushtetuese të kryetarit të Bashkisë në procedurën e shkarkimit, të iniciuar ndaj tij si organi që ka kompetencën për të vendosur mbi praninë, dëgjimin dhe mbrojtjen e Kryetarit të Bashkisë.
Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial. Çdo komunikim i Këshillit Bashkiak, që shkon përtej funksioneve teknike e administrative, përbën tejkalim të kompetencës dhe cenim të parimit të ndarjes së funksioneve. Sekretari është një funksion administrativ, jo organ politik dhe as vendimmarrës, në këtë procedurë. Kompetencat e tij kufizohen në sigurimin e infrastrukturës organizative të mbledhjes, shpërndarjen e materialeve dhe njoftimeve, protokollimin dhe mbajtjen e proces-verbaleve. Ai nuk ka asnjë tagër ligjor, të japë udhëzime, mbi mënyrën e realizimit të së drejtës për të dëgjuar apo interpretuar kërkesat e kryetarit. Në një procedurë që mund të përfundojë me shkarkimin e kryetarit, e drejta për t’u dëgjuar e kryetarit të Bashkisë është thelbësore. Kjo e drejtë nuk mund të mjaftohet në një njoftim formal të sekretarit të Këshillit Bashkiak, lidhur me mundësinë potenciale për të sjellë një mbrojtje me shkrim.