Kryebashkiaku Erion Veliaj vizitoi sot një nga familjet e prekura në Ndroq nga tërmeti i dy ditëve më parë.
Veliaj gjatë vizitës në familjen e Shpëtim Dardhës në “Lagjen e Re”, tha se pas verifikimit të dëmeve, do të nisë puna për rikonstruksionin ose ndërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.
Erion Veliaj: “Ndroqi është një nga zonat më afër epiqendrës së tërmetit. Janë rreth 22 shtëpi të dëmtuara dhe 8 me probleme më të moderuara. Sot do të bëjmë një mbledhje me komunitetin e ndërtuesve, që teksa ne vazhdojmë emergjencat me fondet dhe investimet që duhet të bëjmë, disa punë mund t’i bëjmë shumë shpejt edhe me komunitetin privat.”
Kryebashkiaku siguroi se për të rindërtuar sa më shpejt shtëpitë e dëmtuara që kanë nevojë të rindërtohen, do të thjeshtohen procedurat e lejeve të ndërtimit.
Erion Veliaj: “Grupi i emergjencave ka bërë një dosje për secilën shtëpi. Do thjeshtojmë procedurat e lejes, duhet të shfrytëzojmë kohën sa nuk kanë filluar shirat dhe s’ka ardhur i ftohti i dimrit.”