“Fan ID”, sistemi i identifikimit të tifozëve të futbollit, ka arritur atë që as lufta në Ukrainë nuk mundi të bënte: zbrazjen e stadiumeve. Vetëm 207 tifozë ishin të pranishëm në ndeshjen e luajtur të shtunën e kaluar, midis Torpedos dhe Uralit (0-1). Ky ishte kapaciteti i dytë më i ulët në historinë e ligës ruse, që nga fillimi i saj në vitin 1992.
Ministria ruse e Sportit dhe Federata argumentojnë se “Fan ID” do të bëjë të mundur kthimin e futbollit në një argëtim familjar, si në vende të tjera evropiane, pasi do të reduktojë praninë e radikalëve dhe dhunën nëpër stadiume. Por, argumenti zyrtar nuk i ka bindur tifozët, të cilët nuk kanë besim te kontrolli nga forcat e sigurisë dhe do të vazhdojnë bojkotin e tyre deri në tërheqjen e asaj që njihet edhe si “pasaporta e tifozëve”.
Shoqatat e tifozëve kishin bojkotuar tashmë “Fan ID”-në para pushimeve dimërore, pasi thonë se i trajton si kriminelë, por ndikimi i këtij bojkoti është bërë i dukshëm pikërisht tani, kur pasaporta e tifozit është aplikuar në 16 klubet e kategorisë së parë.
Në rastin e Spartakut të Moskës, klubit me më shumë tifozë në Rusi, numri i tifozëve në dy ndeshjet e fundit ka rënë gati 3 herë në krahasim me vjeshtën. Stadiumi “Otkritie Arena”, me kapacitet për më shumë se 45 000 spektatorë, pati vetëm 5 002 tifozë gjatë fundjavës.
“5000 njerëz në Moskë? Nuk e mbaj mend kur kishte kaq pak tifozë në stadium. Është Spartaku! Ne luajmë për tifozët, por ata nuk janë këtu”, tha sulmuesi i ekipit, Alexandr Sóbolev. Kur një zyrtar argumentoi se arsyeja janë temperaturat e ulëta dhe jo “Fan ID”-ja, Sobolev u përgjigj: “Edhe me këtë të ftohtë, më parë ka pasur minimumi 20 000 tifozë në stadium”.
Në rastin e CSKA-së, vetëm 2 680 tifozë ndoqën ndeshjen ndaj Krilya Sovetov (4-0), pjesëmarrja më e ulët që nga viti 2011.
Edhe çatia e stadiumit “Gazprom Arena”, në Shën Pjetërburg (68 000 vende), e cila mbron të pranishmit nga i ftohti i dimrit, nuk ka penguar që prania e tifozëve të liderit të ligës ruse, Zenitit, të bjerë me 48%. Në një përpjekje për të rritur praninë e tifozëve, klubi shpërndau bileta falas. Përveç kësaj, reduktoi në dhjetë minutat e nevojshme për të kërkuar “Fan ID” në stadium, por kjo tërhoqi vetëm 1000 ndjekës.
Një tregues se “Fan ID”-ja është shkaku i stadiumeve pa tifozë është se kjo metodë nuk zbatohet në ndeshjet e Kupës së Rusisë, dhe pikërisht aty stadiumet janë plot, pavarësisht se luhen në mesjavë. Tifozët e Krasnodarit pothuajse e mbushën stadiumin në kupë, me më shumë se 26 000 tifozë, krahasuar me 8 000 në kampionat; njësoj si Rostovi, me 6 300 në kampionat dhe 21 000 në kupë.