Të hënën mbrëma do të zhvillohen ndeshjet e fundit të fazës së grupeve për kualifikim në Botërorin e vitit të ardhshëm në tri grupe të tjera.
Do të zhvillohen tetë ndeshje në total, në grupet C, F dhe I.
Grupi C
Katër vjet pasi dështoi të kualifikohej në Kupën e Botës, kampionia e Evropës, Italia, ka nevojë për një paraqitje mbresëlënëse kundër Irlandës Veriore për ta siguruar vendin që dërgon direkt në Katar.
“Azzurrët” kanë goldallim më të mirë se Zvicra në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, ndërsa Zvicra e pret Bullgarinë.
Italia dhe Zvicra kanë nga 15 pikë secila, Irlanda Veriore dhe Bullgaria kanë nga tetë, ndërsa Lituania ka vetëm tri pikë.
Italia e ka goldallimin 11, krahas Zvicrës që e ka 9. Italia po ashtu ka më shumë gola të shënuar, 13, ndërsa Zvicra ka realizuar 11 herë. Por nëse skuadrat kanë goldallim të njëjtë dhe numra të njëjtë të golave të shënuar, Zvicra do të kualifikohet tutje shkaku i golit si mysafir në ndeshjet e ndërsjella. Takimi i parë u mbyll 0:0 në Bazel, ndërsa në Romë dueli përfundoi 1:1. Vetëm vendi i parë shkon direkt në finalet e Katarit. Vendi i dytë do të luajë në plejof. Duhet t’i kalojë dy kundërshtarë për të siguruar biletën për Kupën e Botës.
Italia u eliminua në plejofin e vitit 2017 nga Suedia.
Grupi F
Skocia është duke kërkuar shansin që të luajë në shtëpi në gjysmëfinale të plejofit dhe i duhet një barazim kundër Danimarkës, që e ka fituar Grupin F. Scott McTominay do të mungojë te Skocia për shkak të infeksionit në fyt, ndërsa Lyndon Dykes po përpiqet që ta lërë pas një goditje që e mori dhe është i sëmurë.
Skocia nuk është kualifikuar në një Kupë të Botës që prej vitit 1998. Shorti i plejofit do të tërhiqet nga FIFA më 26 nëntor në Zuerich.
Gjashtë vendet e dyta me rekordin më të mirë do ta kenë përparësinë pasi ndeshjet e para në gjysmëfinale i luajnë në vendin e vet.
Tre fituesit e finaleve të plejofit më 29 mars do t’i kompletojnë 13 ekipet e Evropës që do të kualifikohen në Katar.
Grupi I
Vetëm befasia më e madhe në historinë e botës së futbollit mund ta ndalë Anglinë të kualifikohet në Kupën e Botës.
Skuadra që drejtohet nga Gareth Southgate duhet ta shmangë humbjen në Serravalle kundër San Marinos. Kualifikimin mund ta sigurojë vetëm me barazim kundër skuadrës së fundit në ranglistën e FIFA-s.
San Marino i ka pranuar 36 gola dhe e ka shënuar vetëm një në nëntë ndeshje të grupit deri tani.
Conor Gallagher, mesfushori i Chelseat i huazuar te Crystal Palace, iu bashkua skuadrës së Anglisë pasi disa lojtarë nuk do të udhëtojnë fare.
Polonia e pret Hungarinë dhe përgatitet për plejof në marsin e vitit të ardhshëm.