Mbretëria e Bashkuar organizon sot një samit virtual të udhëheqësve të G-7 për të diskutuar përpjekjet e evakuimit në Afganistan.
Vendet në G7 janë SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.
Forcat e huaja po përballen me një afat deri më 31 gusht për të nxjerrë të gjithë trupat nga vendi – përfshirë forcat e mbetura amerikane që aktualisht po kontrollojnë aeroportin e Kabulit.
Kjo datë ishte rënë dakord më parë në një marrëveshje me talebanët, para se grupi militant të merrte kontrollin pothuajse të plotë të vendit.
Presidenti amerikan Joe Biden do të vendosë në 24 orët e ardhshme nëse do të zgjasë qëndrimin e trupave, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.
Por talebanët kanë paralajmëruar pasoja nëse forcat e huaja mbeten në vend pas 31 gushtit.
G7 gjithashtu pritet të diskutojë çështjen vendimtare të njohjes së çdo qeverie talebane.