Kryeministri Albin Kurti, u bëri thirrje serbëve në Kosovë të mos bien pre e fushatave të dezinformimit lidhur me vendimet e qeverisë për targat dhe dokumentet serbe, që siç tha synojnë të nxisin frike dhe destabilitet. Në mbledhjen e qeverisë ditën e mërkurë kreu i ekzekutivit te Prishtinës tha se vendimet do të hynin në fuqi nga 1 shtatori, ndërsa paralelisht do të zhvillohej fushata e informimit për qytetarët.
“Përballë fushatës sonë të informimit për vendimet e qeverisë të datës 29 qershor dhe thirrjes për ligjshmëri, u ngrit një fushatë e dezinformimit, e cila nxiste frikë dhe synonte destabilitet, ajo ishte vetëm në shërbim të barrikadave. Në përbërje me individë të armatosur ne te kaluar kriminale barrikadat u bënin rezistencë vendimeve tona vetëm që te mbronin krimin e organizuar në veri të vendit. Të dashur bashkëqytetarë, konvertimi i targave të automjeteve nga ato ilegale në ato RKS i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë në gjithë republikën tonë.
Ai tha se ka dëgjuar lajme të rreme që dokumentet serbe do të konfiskoheshin në kufijtë e Kosovës, por siguroi qytetarët serbë se vendimi për pajisje me dokumente në kufi nuk e pengon lirinë e lëvizjes dhe nuk parashikon konfiskim të dokumenteve të lëshuara nga autoritetet serbe.
“Askush nuk është imun ndaj lajmeve të rreme dhe dezinformatave, ndërkaq rreziku prej tyre është shumë i madh. Po jetojmë në një epokë sfiduese andaj na duhet kujdes i shtuar, sot dezinformimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”, tha Kurti.
“Më 31 korrik, një ditë para hyrjes në fuqi të vendimeve për targat dhe dokumentet personale, serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – dhe sulmuan policinë e Kosovës. Pas ndërhyrjes së faktorëve ndërkombëtarë, Qeveria u pajtua që të shtyjë zbatimin vendimeve për një muaj, pasi të hiqeshin barrikadat.