Në fazën e tretë të lehtësimit të masave ndaj koronavirusit, që do të nisë nga e hëna, ishte paraparë edhe hapja e kufijve tokësorë atyre ajrorë si dhe hapja e çerdheve.
Megjithëkëtë, Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Arsimit ende nuk e dinë se si do të veprojnë në lidhje me këtë.
Nga këto dy dikastere thonë se krejt varet nga situata epidemiologjike në vend dhe se për këtë janë duke pritur rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Lulzim Krasniqi, këshilltari i ministres në detyrë të Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë se që nga paraqitja e pandemisë gjithçka bëhet në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë.
Shefi i kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Alban Zogaj, ka deklaruar se në javën e parë të qershorit do të vendosin për hapjen e kufijve tokësorë dhe ajrorë.
Përderisa as në Ministrinë e Shëndetësisë nuk e kanë një përgjigje definitive për sa i përket hapjes së kufijve, çerdheve e shkollave.
Në një përgjigje me shkrim nga ky dikaster thuhet se kufijtë dhe aeroportet rivlerësohen tani në fillim të qershorit në fazën III të hapjes graduale.
“Testet e arritshmërisë dhe maturës janë paraparë të mbahen sikurse edhe provimet në arsimin e lartë. Hapja e plotë e kufijve, aeroporteve dhe institucioneve edukative e arsimore varet nga dy faktorë: situata epidemiologjike dhe nga vetë sektorët që menaxhojnë këto veprimtari. Kur ato të jenë gati dhe të sigurta, MSh-ja procedon me vendimin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Përderisa shtojnë se trendi po shkon në favor të hapjes, por vendimet përfundimtare do të merren së bashku me institucionet së shpejti.