Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, e cila mbështeti mundësinë e ndalimit të platformës TikTok nëse ajo nuk shitet nga pronari aktual deri të dielën e ardhshme.
Ky vendim ka shkaktuar një pasiguri të madhe për përdoruesit dhe bizneset që mbështeten në aplikacionin e famshëm, ndërsa 78-vjeçari, i cili ka qenë një kritik i ashpër i TikTok, theksoi se përfundimisht ai do të ketë fjalën finale për të ardhmen e aplikacionit.
Në një deklaratë, Trump shprehu se “do të shihni se çfarë do të bëj”, duke lënë të kuptohet se ai ka plane të tjera për të zgjidhur këtë çështje, e cila është kthyer në një ngërç ligjor dhe politik.
Gjykata e Lartë, e cila ka dhënë dritën e gjelbër për një ndalim të mundshëm të TikTokut, argumentoi se shqetësimet për sigurinë kombëtare të SHBA-së, të lidhura me përdorimin e platformës nga shtetas të Kinës, janë më të rëndësishme se çdo shqetësim për kufizimin e lirisë së shprehjes.
Sipas gjykatës, mundësia e abuzimit të të dhënave personale të përdoruesve dhe ndikimi që mund të ketë TikTok në politikat e brendshme amerikane i kalon shqetësimet për lirinë e shprehjes të individëve dhe për atë që mund të ndodhë me ata 170 milionë përdorues që kanë llogari në këtë platformë në Shtetet e Bashkuara
Ndryshe, vendimi vjen në një moment kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë të larta, dhe TikTok është bërë një objekt i debatit të ashpër për sa i përket sigurisë dhe privatësisë.