I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se shpreson që në takimin që do të mbahet këtë javë në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, të tejkalohen mosmarrëveshjet mes dy vendeve në lidhje me dinarin serb.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
“Java para pushimit të Pashkëve ka qenë një javë e shkurtër edhe pse intensive. Të hënën prita në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe të Serbisë, drejtorin Petkoviç, për të vazhduar diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Në përgjithësi, ka qenë një takim i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Konkluduam se do të nevojitet një takim tjetër. Të dy palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë diferencën e mbetur të enjten”, ka shkruar Lajçak.