Vendimi i qeverisë se Kosovës për të zbatuar nga 1 gushti reciprocitetin në kufirin me Serbinë, duke penguar hyrjen e shtetasve serb pa një fletë-dokument për hyrje-dalje në vend, si dhe ai për fillimin e procesit të heqjes së targave jo zyrtare nga automjetet, po shkakton tension në zonat e banuara nga komuniteti serb.
Vendimet e Prishtinës zyrtare nuk janë pritur mirë në Beograd, teksa autoritetet serbe kanë deklaruar publikisht që nëse nuk tërhiqet nga këto dy vendime, atëherë zyrtarët serbë në Kosovë do të nisin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në Mitrovicën e Veriut është dëgjuar alarmi që bie sa herë ka thirrje për grumbullime masive
Sipas burimeve, serbët e veriut të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës, në Leposaviq, ku pasagjerët po këshillohen që të kthehen në drejtim të Serbisë. Ndërkohë, bllokada të ndryshme sinjalizohen në aksin Prishtinë-Rashkë, pikërisht në Rudarë të Zveçanit, dhe në aksin Bërnjak-Mitrovicë.
Ndërkohë, në Mitrovicën e Veriut është dëgjuar alarmi që bie sa herë ka thirrje për grumbullime masive.
Të gjithë shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, nga kjo e hënë nuk do të lejohen të shkelin territorin me dokumente të Serbisë, por do të pajisjen me një fletë-dokument për hyrje-dalje në vend.
Reciprociteti është i vlefshëm dhe për automjetet e regjistruara në Serbi, të cilat duhet të pajisen me targa të Kosovës për të kaluar kufirin.
Në qershor, Qeveria e Kosovës u vendosi dy muaj afat qytetarëve serbë që të heqin targat ilegale. Në veri të Kosovës ka pasur disa reagime kundër vendimit, ndërsa nuk kanë munguar as deklarata të krerëve të Serbisë.