Pas vendimit të ditës së premtes të Gjykatës së Apelit që vendosi të shfuqizojë një vendim të gjykatës së faktit për drejtimin e Partisë Demokratike duket se kandidatët e demokratëve që kanë dalë përmes primareve të përfaqësohen në logon e koalicionit në zgjedhjet e 14 majit.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të PD-së është vendosur që zyrtarisht të shkohet në zgjedhje me koalicion dhe për këtë nesër pritet që Kryesia e këtij formacioni politik të mbidhet për të caktuar se kush do të jenë përfaqësuesit që do të nisin bisedimet me partitë alate për përcaktimin e modaliteteve të bashkëpunimit para dhe paszgjedhor.
Ndërkohë në një dalje për mediat, Edi Paloka tha se nuk do të humbasin kohë, por do të nisin që nesër procedurat për regjistrim.
“Ne kemi disa marrëveshje me aleatët dhe ndërkohë që jemi këtu po diskutohet me aleatët. Ne do të ndjekim të gjitha afatet për regjistrim dhe që nesër do të kemi regjistrimin e koalicionit tonë”, tha Edi Paloka, ndërsa nuk bëri të ditur emrin e koalicionit.