Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot, me ftesë të Presidentit të Hungarisë, János Ader, në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Budapest.
Meta vlerësoi se rrënjët e miqësisë midis dy popujve tanë gjenden në lidhjet legjendare dhe aleancën strategjike të Heroit tonë Kombëtar me prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur të Hungarisë dhe të mbarë Europës Qendrore, Janosh Huniadi, të dy mburoja të vlerave dhe të traditave të qytetërimit, por edhe të identitetit tonë europian.
Presidenti tha se “ashtu si në kohën e aleancës së Kastriotit dhe të Huniadit, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë dhe ne i jemi thellësisht mirënjohës”.
“Jam i bindur se fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit të shkëlqyer tradicional historik midis dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohet pa u ndalur në të ardhmen”, shtoi Presidenti.
Veliaj dhe homologu hungarez përurojnë në Budapest bustin e Skënderbeut: Përtej zhurmës dhe historisë, janë veprat ato që mbeten
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përuroi sot së bashku me homologun e tij të Budapestit, Gergely Karácsony, bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Një dhuratë nga bashkia Tiranë për qytetin e Budapestit, që është vendosur përballë bustit të bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadit.
Veliaj e cilësoi këtë të sotmen një ditë të shkëlqyer për marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Shqipërisë.
“Një ditë e mirë për marrëdhëniet mes dy vendeve. Kombet që nuk dinë nga kanë ardhur, nuk dinë as se ku po shkojnë. Në finale, përtej zhurmës dhe historisë, janë veprat ato që mbeten. Sfida për gjeneratën tonë është të lëmë vepra, të mos merremi me llafe, të mos i bëjmë stërkëmbësha njëri-tjetrit, mos të pengojmë progresin, por të lëmë pas diçka që do të mbetet. Është dashur 20 vite për të mbërritur te kjo ditë. Një iniciativë që ka nisur që në kohën e Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës me kryetarin e Bashkisë së Budapestit atëherë. Më vjen mirë që bashkia e Tiranës e lë një vepër që do të mbetet këtu në Budapest”, – u shpreh Veliaj. /ATSH/


