“Nëse Krasniqi, me 1.70 centimetra – nuk kam asgjë kundër gjatësisë së tij, unë jam më i shkurtër – është i lirë për të goditur me kokë, atëherë thjesht kjo nuk mjafton për një ndeshje si kjo”.
Amir Abrashi (35), kapiteni i Grasshopperit, e paraqiti Bledian Krasniqin (23) tri centimetra më të shkurtër sesa që ai është në të vërtetë. Në kritikën e menjëhershme pas ndeshjes së zhvilluar të dielën mbrëma, kapiteni i Grasshopperit, Abrashi, përmend atë që duket befasuese – që mesfushori defanziv të përfitojë thellë në zonën e kundërshtarit nga krosimi, ndonëse ishte në duel me mbrojtësin e gjatë 1.90 centimetra, Tsiy Ndenge.
Ndonjëherë numri shtatë i Zurichut, Krasniqi, largohet pak nga vëmendja në klubin e gjallë. Ai nuk është i zhurmshëm dhe sigurisht as vetjak. Kur gjërat bëhen të trazuara, ai tërhiqet. Krasniqi iu bashkua Zurichut në moshën tetëvjeçare dhe debutoi në gara evropiane në moshën 17-vjeçare. Ai zakonisht bën komente të matura e të bazuara në fakte.
“Puna e palodhshme dhe shumë mbështetje nga shokët e skuadrës, kjo është bazike”, ka thënë Krasniqi pas fitores 2:1 në derbin e madh zviceran.
“Një djalë i mirë”, thotë për Krasniqin, Ricardo Moniz, trajner i Zurichut. Ai ka dekada që punon me talente. Holandezi ka shumë besim në lojtarin që shpërndan topin nga qendra, ndonëse e kritikon atë në raste.
“Ai gjithnjë duhet të paraqitet si është paraqitur sot. Nëse e bën këtë, ne nuk mund ta mbajmë. Blediani është në rrugën e duhur”, ka shtuar Moniz.
Trajneri i Grasshopperit, Tomas Oral, ka bërë lavdërim indirekt.
“Ishim shumë pasivë, ndonëse e kemi ditur se sa të zhdërvjelltë janë lojtarët e qendrës së Zurichut”.
Krasniqi është prej pikave të forta në qendër të fushës te Zurichu. Duke punuar përkrah Jean-Philippe Gbamin, ai ka orkestruar lojën edhe në momentet vendimtare të tranzicionit në derbin e zjarrtë.
Bilanci i tij ofenziv është shumë i mirë. Me pesë gola e pesë asistime ai është bërë top-golashënues në edicionin e katërt me Zurichun në Superligë. Ndihmëstrajneri Alessandro Riedle vazhdimisht i tregon atij se si mundet më mirë të mbetet aktiv në zonë dhe të avancojë në hapësira në momentin e duhur, tregon Krasniqi.
Pas fitores së tetë në derbin e 14-të në karrierë, reprezentuesi i ardhshëm i Kosovës i përmbahet asaj që thotë trajneri Moniz.
“Do të gënjeja nëse do të thosha që nuk po shikojmë për gjëra më të mëdha. Tani e kemi ndeshjen në shtëpi ndaj Lausannes e më pas luajmë në Winterthur. Nëse marrim maksimumin në këto dy ndeshje, do të shohim se ku do të na dërgojë rrugëtimi”, ka thënë Krasniqi.