Britania e Madhe ka përjetuar verën më të nxehtë që nga fillimi i matjeve zyrtare në vitin 1884 dhe tashmë rrezikon të përjetojë më shpesh të njëjtat kushte për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, sipas Met Office.
Vitet e fundit, vendet në mbarë botën kanë përjetuar nxehtësi ekstreme për shkak të ngrohjes globale, ndërsa vera e vitit 2024 tashmë konsiderohet si më e nxehta globalisht në historinë e regjistrimeve.
Në Evropë, valët përvëluese të të nxehtit këtë verë kanë ndihmuar në përhapjen e zjarreve vdekjeprurëse në vende si Spanja dhe Portugalia.
Muajt e verës në Britani, qershori, korriku dhe gushti, shënuan një temperaturë mesatare prej 16.10 gradë Celsius, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 15.76°C të vendosur në vitin 2018, bëri të ditur Met Office. Vera e vitit 2025 ishte 1.51°C mbi mesataren afatgjatë klimatike.
“Analiza jonë tregon se vera e vitit 2025 është bërë shumë më e mundshme në të ardhmen, për shkak të gazeve serrë që njerëzit kanë çliruar që nga Revolucioni Industrial,” thonë studiuesit në Met Office.
“Sot është plotësisht e munshme të përjetojmë vera shumë më të nxehta. Ajo që më parë konsiderohej ekstreme, tani po bëhet gjithnjë e më normale në klimën tonë që po ndryshon,” shpjegojnë ata.
Britania përjetoi katër valë të të nxehtit këtë verë, me temperaturën maksimale të regjistruar prej 35.8°C në Faversham, në juglindje të Anglisë. Kjo ishte më e ulët se rekordi absolut i vendit prej 40.3°C, i regjistruar gjatë verës së vitit 2022.