Nga Martin Kiri
Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të zhvillimit të saj politik dhe ekonomik. Në këtë kontekst, angazhimi i profesionistëve nga diaspora nuk është thjesht një mundësi, por një domosdoshmëri. Më 11 maj, mes kandidatëve për deputetë, gjendet edhe Vera Ndrecaj, një akademike e suksesshme nga diaspora, e cila ka vendosur të sjellë përvojën, dijen dhe vizionin e saj në shërbim të vendit.
Largimi i trurit ka qenë një plagë e hapur për Shqipërinë për dekada me radhë. Shumë profesionistë të talentuar kanë ndërtuar karriera të shkëlqyera jashtë vendit, duke kontribuar në institucione ndërkombëtare, universitete prestigjioze dhe korporata të mëdha. Megjithatë, pak prej tyre kanë gjetur rrugën e kthimit, jo për mungesë dëshire, por për shkak të barrierave institucionale dhe një klime politike që nuk ka favorizuar përfshirjen e tyre.
Në këtë sfond, angazhimi i akademikes Vera Ndrecaj nga diaspora në politikën shqiptare është një hap i guximshëm dhe një sinjal i qartë se ndryshimi është i mundur. Me një karrierë të ndërtuar mbi bazën e meritës, kërkimit shkencor dhe eksperiencës ndërkombëtare, ajo sjell një perspektivë të re për qeverisjen dhe zhvillimin e politikave sociale.
Kush është Vera Ndrecaj?
Vera Ndrecaj u lind në Malësi të Madhe dhe emigroi në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2002, ashtu si shumë bashkëkombas që u larguan nga vendi gjatë viteve të tranzicionit. Sot ajo është Doktoreshë Shkencash dhe profesoreshë e asociuar në Universitetin Metropolitian të Kardifit në Uells, Britani e Madhe. Ndrecaj është eksperte ndërkombëtare në prokurime publike, arsimin e lartë dhe menaxhim strategjik, si dhe autore e disa publikimeve shkencore.
Rruga e saj akademike dhe profesionale është e lidhur me Mbretërinë e Bashkuar, ku ka mbaruar Bachelor në Menaxhim Biznesi, Master në Administrim Biznesi (MBA), Master në Menaxhimin e Zinxhirit të Furnizimit, Diplomë Pasuniversitare në Mësimdhënie në Arsimin e Lartë, Doktoraturë (PhD), dhe në vitin 2018 ka marrë titullin shkencor “Doktor i Filozofisë”.
Vera Ndrecaj është anëtare e disa institucioneve prestigjoze në Britaninë e Madhe, duke përfshirë: Akademinë e Arsimit të Lartë në Britani të Madhe (HEA), Institutin e Lidershipit dhe Menaxhimit (ILM), Institutin e Prokurimit dhe Zinxhirit të Furnizimit (CIPS).
Pse Diaspora ka një Rol Kyç në Politikën Shqiptare?
Diaspora shqiptare është një pasuri e pashfrytëzuar siç duhet. Shqiptarët jashtë vendit, ashtu si Vera, kanë fituar dije, përvojë dhe një mentalitet që mund të ndihmojë në modernizimin e administratës dhe politikave sociale. Përfshirja e tyre në politikën shqiptare duhet të shihet si një domosdoshmëri për të ndërtuar një shtet më të fortë dhe më të drejtë.
Kjo akademike e diasporës përfaqëson këtë vizion të ri – një Shqipëri që nuk i sheh njerëzit e saj të suksesshëm jashtë vendit si të huaj, por si aktorë të rëndësishëm të ndryshimit në Shqipëri.
Nuk do të jetë një rrugë e lehtë për Verën, edhe nëse zgjedhet deputete e Parlamentit të ardhshëm, dhe përballja me sfida nuk do të mungojë për Verën dhe të tjerë që mund të zgjedhen si deputetë nga diaspora. Politika shqiptare ka ende shumë barriera për individët që vijnë nga jashtë sistemit tradicional. Megjithatë, mbështetja e qytetarëve për kandidatë me integritet, dije dhe përkushtim mund të sjellë ndryshime reale.
Më 11 maj, shqiptarët kanë mundësinë të zgjedhin më shumë se thjesht një kandidat, ata mund të zgjedhin një vizion të ri për të ardhmen e vendit. Dhe nëse më shumë profesionistë nga diaspora ndjekin këtë shembull, Shqipëria do të përfitojë jo vetëm nga talenti i tyre, por edhe nga një kulturë e re politike, e bazuar në përgjegjshmëri dhe meritokraci.
Është koha që diaspora të mos shihet më si një rrëfim nostalgjik, por si një forcë e vërtetë për ndryshim. Kjo akademike është një dëshmi e kësaj mundësie – dhe tashmë varet nga qytetarët nëse do ta mbështesin këtë vizion të ri për Shqipërinë.