Ish-mesfushori i Interit, Juan Sebastian Veron ka thënë se Nerazzurrët kanë një avantazh të lehtë në garën për titull në Serie A dhe vlerëson lartët Lautaro Martinez, Joaquin Correa dhe Marcelo Brozovic.
Ish-lojtari argjentinas kaloi dy sezone në Inter, duke shënuar katër gola në 74 paraqitje. Ai ishte gjithashtu një shok skuadre i Simone Inzaghit në Lazio midis viteve 1999 dhe 2001.
“Skuadra e Simones ka kaluar nëpër periudha të vështira, por është kthyer në rrugën e duhur tani”, ka thënë fillimisht Veron për La Gazzetta dello Sport.
“Ata kanë fituar tashmë Superkupën, kanë arritur në finalen e Kupës së Italisë dhe kanë një avantazh të lehtë ndaj Milanit në Serie A”.
“Nëse fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura, do të bëhen kampionë. Ata nuk varen nga të tjerët dhe është shumë mirë”.
“Sigurisht, ata mund ta ndiejnë presionin, por do të duhet ta përballojnë atë. Gjithmonë është më mirë të jesh përpara sesa prapa”.
“Ata janë konkretë dhe përpiqen të dominojnë ndeshjet me pasime të shpejta dhe vertikale dhe duke krijuar përparësi numerike në krah. Futbolli ka të bëjë me rezultatin”.