Kryetari i Kuvendit dhe njëherit kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka ftuar bashkatdhetarët që kthehen në pushimet e verës dhe përveç bregdetit shqiptar, të mos lënë pa shijuar Alpet e mrekullueshme shqiptare.
Postimi i Veselit në Facebook:
Vendosa të shkoj në festën “Mirësevini në Alpet Shqiptare” që zhvillohet nesër në Guci, pikërisht duke udhëtuar nëpër alpet përrallore shqiptare. Pak më herët mbërrita në Vuthaj, duke kapërcyer Qafën e Borit, pasi u nisëm prej Çeremit të Tropojës. Përveç hijeshisë së rrallë të këtyre bjeshkëve, ajo që e bënte edhe më të bukur këtë rrugëtim të sotshëm ishte bujaria e malësorëve zemërgjerë të cilët nuk na linin ta vazhdonim rrugën pa u ndalur nëpër stanet e tyre për të provuar pak nga kosi, qumështi e djathi i tyre. Ftoj bashkatdhetarët e diasporës që kthehen në pushimet e verës, që përveç bregdetit shqiptar, të mos lënë pa shijuar alpet e mrekullueshme shqiptare.