Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë sot nga Prizreni se vetëm partia që ai drejton mund ta bëj rimëkëmbjen kombëtare për shqiptarët. Ka kritikuar ashpër ish-qeverisjen në krye me Albin Kurtin, dhe këtë aktualen me Avdullah Hotin.
“Qeveria Hoti e ka të trashëguar virusin e mashtrimit të Qeverisë Kurti”, thotë Veseli, derisa shton se “këtë pandemi politike do ta ndalë vetëm PDK”.
Në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lideri i PDK-së ka zhvendosur lidershipin e partisë në kryeqytetin historik nga ku ka shpalosur vizionin e ri të PDK-së.
“Orientimi ynë euroatlantik është i pakompromis, ndërsa çdo politikë që provon t’i prishë raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është ftesë tinëzare për ato vende dhe gjeopolitika që e duan shkatërrimin e shqiptarëve”, tha Veseli, njofton zyra e PDK-së.
“Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë”, tha Veseli.
Ai tha se në takim me Kryesinë qendrore të PDK në Prizren, po e fillon ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës së rimëkëmbjes kombëtare.
“Platformë e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë”, deklaroi Veseli.
Veseli tha se në qeverisjen e kaluar PDK ka lidhur Prizrenin me Tiranën përmes autostradës së Kombit, ndërsa u zotua se në mandatin e ardhshëm do ta lidhë Prizrenin me Tetovën.
“Do ta sanksionojmë me ligj çfarëdo cenimi të këtyre vlerave historike dhe luftën e drejtë të UÇK-së. Do të dënohet mohimi i krimeve të kryera nga Serbia dhe do të punojmë për të kërkuar drejtësi për çdo të vrarë e të zhdukur në Kosovë”, tha Veseli.
Veseli, tutje tha se do të ketë “Më pak burokraci në vendimmarrje, më pak procedura dhe më pak tatime.
“Më shumë përkrahje prodhimit, eksportit dhe punësimit. Ky do të jetë angazhimi im dhe i PDK-së. Mposhtja e së keqes është domosdoshmëri. Korrupsioni, abuzimi, mashtrimi duhet të ndalen dhe do t’i ndalim”, tha Veseli.
Tutje, Veseli ka shtuar se PDK-ja do të angazhohet për një Qeveri të vogël, por në funksion të rritjes së madhe te mirëqenies ekonomike, punësimit e cilësisë më të madh në arsim.
Sipas Veseli, “Prizreni ka humbur 3 vjet nga keq-qeverisja e koalicionit të mashtrimit VV-LDK”.
“Fatkeqësisht, shumë korrupsion e hajni, dëmtim të zonës historike, e të potencialit të turizmit”, tha Veseli.