Albania
Vetëm 30% e shqiptarëve presin që viti 2024 të jetë më i mirë për ekonominë e tyre familjare
Shqiptarët janë pesimistë për gjendjen e ekonomisë së tyre familjare gjatë vitit 2024.
Sipas një sondazhi të zhvilluar nga “Monitor” në faqen e saj të internetit dhe rrjetet sociale, vetëm 30.5% e votuesve besojnë se ky vit do të jetë më i mirë për ekonominë e tyre familjare. 31.7% e votuesve presin që viti 2024 të jetë më i dobët, ndërsa 25% e votuesve nuk presin ndryshime të mëdha në gjendjen e ekonomisë së tyre për këtë vit. 12.7% e votuesve shprehen se nuk janë të sigurt lidhur me faktin nëse viti 2024 do të jetë më i mirë apo më i dobët për ekonominë e tyre.
Në përfundim, rezultatet tregojnë se në pritshmëritë e shqiptarëve për gjendjen e tyre ekonomike gjatë këtij viti dominojnë pesimizmi, pasiguria dhe ruajtja e gjendjes së mëparshme, ndërsa vetëm një pakicë presin përmirësim për mirë.
Nga ana tjetër, rezultatet e sondazhit ndryshojnë edhe në varësi të kanalit të shpërndarjes dhe votimit. Sondazhi i veçantë i organizuar me audiencën e rrjetit profesional Linkedin ka një përqindje më të lartë të pritshmërive optimiste për vitin 2024. Kështu, në sondazhin e Linkedin, 38% e votuesve janë shprehur se presin që viti 2024 të jetë më i mirë për ekonomitë e tyre. 26% nuk presin ndryshime të mëdha, 23% presin që ky vit të jetë më i dobët, ndërsa 13% shprehen se nuk janë të sigurt.
Ndërkohë, në sondazhin e hapur në faqen monitor.al dhe të shpërndarë edhe në kanalet e tjera sociale, ka një epërsi më të lartë se mesatarja e votuesve që presin një vit 2024 më të dobët për ekonominë e tyre familjare. Kështu, 35.5% e votuesve presin që 2024 të jetë më i dobët se viti 2023 për ekonomitë e tyre, ndërsa vetëm 27.2% presin që ky vit të jetë më i mirë. 24.7% e votuesve e presin vitin 2024 pa ndryshime të mëdha, ndërsa 12.6% shprehen se nuk janë të sigurt.
Të dhënat e deritanishme kanë treguar se ekonomia shqiptare vijoi rritjen pozitive gjatë vitit 2023, por me ritme disi më zhgënjyese se projeksionet që mbështeteshin në një impakt të fortë të turizmit në rritjen e prodhimit kombëtar.
Sipas të dhënave të INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me afërsisht 3.5%, ndërsa rritja mesatare për tre tremujorët e parë të vitit ishte pak më e ulët se 3.3%. Megjithatë, në analizën e fundit për performancën e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti, Raiffeisen Research vlerëson se ndikimi i plotë i të ardhurave nga turizmi mund të mos pasqyrohet plotësisht në shifrat zyrtare të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Arsyeja mund të jetë informaliteti i lartë i këtij sektori, ku një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik nuk reflektohet në të statistikat zyrtare.
Në parashikimet e fundit për ekonominë shqiptare, Banka Botërore parashikon një ngadalësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike për vitin 2024, në 3.2%, nga 3.6% që është projeksioni I fundit për të gjithë vitin 2023.
Ndërkohë, inflacioni ka ndjekur një tendencë rënëse gjatë vitit 2023, por ai ngelet ende sipër objektivit prej 3% të bankës qendrore. Për muajin nëntor 2023, inflacioni vjetor ishte në nivelin 3.9%. Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni do të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të këtij viti, por sidoqoftë duke theksuar se presionet e brendshme inflacioniste ngelen të larta dhe mund të kërkojnë lëvizje të mëtejshme shtrënguese të politikës monetare./Monitor

Albania
Emigrantët duan të ndihmojnë vendin, por institucionet nuk i përfillin
Teksa emigracioni po masivizohet vit pas viti dhe shumica e shqiptarëve, pjesa më produktive jetojnë jashtë vendit me 2.2 milionë banorë sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit, në anën tjetër qeveria dhe institucionet kanë dështuar për të zbatuar programin dhe strategjitë për emigrantët.
Një pjesë e emigrantëve që jetojnë prej dy dekadash jashtë vendit duan të kontribuojnë sidomos në zonat kur kanë lindur, por ato përballen me pengesa dhe mospërfillje institucionale.
Anëtarët e diasporës shqiptare të intervistuar nga INSTAT janë të angazhuar në mënyrë aktive në një gamë të gjerë iniciativash që kontribuojnë në zhvillimin kulturor, akademik, ekonomik dhe institucional të vendit në vendet ku jetojnë. Rreth një në pesë anëtarë të diasporës është aktiv në organizata dhe shoqata të diasporës, kryesisht në funksion të promovimit të identitetit shqiptar jashtë vendit, përmes shkollave të gjuhës, aktiviteteve kulturore dhe ngjarjeve komunitare.
Megjithatë sipas anketës angazhimi i diasporës në vendin tonë kufizohet nga një sërë sfidash. Diskutimet me anëtarë dhe organizata të ndryshme të diasporës gjatë anketës së INSTAT nxjerrin në pah pengesa institucionale, duke përfshirë aktivitetin e kufizuar të institucioneve kyçe si Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, si edhe vështirësi në koordinimin ndërministror.
Emigrantët vënë në dukje mungesën e një data-baze të centralizuar të diasporës, teksa ka fushata të kufizuara informimi dhe komunikimi për angazhimin e diasporës.
Sipas anketës mungojnë mekanizmat e strukturuar që profesionistët e diasporës të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë, duke mbetur shpesh vetëm në iniciativa.
“Ka mungesë besimi ndaj institucioneve shqiptare dhe shqetësime për burokracinë e tepruar, veçanërisht mes profesionistëve. Ka shqetësime për klimën e biznesit, boshllëqe në kuadrin ligjor për mbështetjen e investitorëve nga diaspora dhe mungesën e fondeve të dedikuara për kanalizimin e investimeve. Ka nisur shkëputja kulturore në rritje te brezat e dytë dhe të tretë të diasporës që asimilohen jashtë vendit, duke sjellë dobësimin e lidhjeve me trashëgiminë shqiptare” vë në dukje anketa.
Në aspektin ekonomik, anëtarët e diasporës po shohin gjithnjë e më shumë përtej remitancave tradicionale, drejt formave më strategjike të investimit, përfshirë pasuritë e paluajtshme, turizmin dhe sipërmarrjet teknologjike. MIrëpo qeveria shqiptare nuk po mundet të përthithë kapitalin human dhe atë financiar të diasporës, duke ulur përfitimet e vendit nga ky potencial i madh.
Monitor
Albania
Emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA-së, ICE: Mos t’ju shkojë mendja të hyni ilegalisht
Ëndrra e shumë shqiptarëve për t’u futur e jetuar në ShBA po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Edhe ata të cilët kanë mundur ta prekin Amerikën e janë atje pa leje qëndrimi, po përballen me dëbime.
Pothuajse çdo javë ka shqiptarë të cilët deportohen pasi janë kapur nga ICE, skuadra amerikane e emigracionit dhe doganave e hedhur në veprim pasi Donaland Trump i shpalli luftë ilegalëve në ShBA.
“Top Channel”, përmes postës elektronike, pyeti ICE-në sa është numri shqiptarëve pa të drejtë qëndrimi në ShBA të ndaluar, përfshi numrin e të dëbuarve drejt Shqipërisë gjatë 2025.
Një zëdhënës i ICE nuk dha detaje përmes shifrave, por deklaroi se: “Nëse ju po e konsideroni të hyni ilegalisht në Amerikë, mos e çoni në mendje një gjë të tillë. Nëse vini këtu në kundërshtim me ligjet tona, ju me gjasë do të përballeni me ligjin dhe ne do t’ju dëbojmë. Ju kurrë nuk do të mundeni të riktheheni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëri”.
Top Channel nga burime diplomatike ka mësuar se Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka ndihmuar në ngritjen e njësie të posaçme brenda Policisë së Shtetit dedikuar luftës me trafikun e shqiptarëve drejt ShBA.
Të njëjtat burime treguan se kjo njësi sipas një protokolli standard, interviston të gjithë shqiptarët e dëbuar nga ShBA për të mësuar si ata mundën të hynë ilegalisht. Kjo konsiderohet si mbledhje inteligjence me qëllim identifikimin e rrugëve dhe metodave të trafikut. Trafiku i shqiptarëve drejt ShBA vijon përmes linjës klasike të të shkuarit në Meksikë duke pritur disa javë deri në momentin kur trafikantët krijojnë kushtet për kalim.
Një tjetër metodë është përdorimi pasaportave evropiane të falsifikuara. Nëse për shumë vite rruga e Kavajës mbretëronte në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, shkëlqimi i asaj kohë është shuar.
Kjo njësi brenda Policisë së Shtetit, nga intervistimet e të dëbuarve nga ShBA, ka mundur të identifikojë Kosovën si vend prodhues të pasaportave të falsifikuara, madje me një cilësi të lartë si pasojë e përdorimit të kompjuterëve dhe printerëve super-modernë.
Megjithatë, nuk mungojnë tentativat brenda Shqipërisë në prodhimin e të tilla pasaportave siç ishte rasti më i fundit në Tiranë kur para 5 muajsh, babë e bir u prangosën për këtë aktivitet kriminal. Sipas hetimeve, pasaportat e falsifikuara shiteshin nga 15 000 deri në 20 000 euro dhe përdoreshin për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të BE-së edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /TCH
Albania
Krimi në familje, burri dhunon gruan për vdekje, vetëvritet me pistoletë
Një 50-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij e më pas veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Orikum të Vlorës mesditën e 2 janarit.
Sose Xhebroj mësohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroj, 50 vjeç.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se çifti kanë pasur probleme me njëri tjetrin dhe kishin shkuar drejt divorcit, teksa janë prindër të dy djemve të rritur. Policia po heton ngjarjen.
“Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thotë policia.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
