Që prej 1 shtatorit e deri më tani, vetëm një automjet është regjistruar me targa RKS në katër komunat veriore të Kosovës. Këtë e konfirmojnë disa zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për “Kosovapress”.
Serbët e Kosovës nuk preferojnë të flasin publikisht rreth zbatimit të vendimit të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, pasi kanë frikë të shprehin mendimin e tyre. Megjithatë, pas kamerave pranojnë se me dëshirë do t’i kishin ndërruar targat e automjeteve, por po detyrohen nga grupe të caktuara që veprojnë sipas urdhrave të Beogradit, që të mos e bëjnë diçka të tillë.
Për këtë arsye, janë të frikësuar dhe nuk po dinë si të veprojnë. Megjithatë, dy qytetarë nga Peja, pjesëtarë të komunitetit serb, kritikuan trajtimin me privilegje për serbët e veriut, duke akuzuar shtetin se po i toleron më shumë se sa duhet. Ata të paktë që pranuan të shpreheshin publikisht lidhur me ndërrimin e targave, ishin të ndarë në mendime.
“Po flas në emrin tim, unë nuk do t’i ndërroj targat. Nuk dua. Lehtësimet financiare janë vetëm karrem, prandaj thjesht nuk dua”, thotë Zoran, banor në Mitrovicën e Veriut.
Ndërsa Rafet Shaboviç, student në Mitrovicën e Veriut, shprehet: “Qëndrimi im është relativisht neutral. Unë jam krejtësisht pacifist dhe nuk kam qëndrime të ashpra. Mendoj se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në rregull, edhe pse dikujt ndoshta nuk i duket i mirë. Targat mund të ndërrohen, pse jo, mendoj se duhet dhe gjithçka është në rregull. Pra, mendoj se vendimi duhet të respektohet”.
Ministria e Brendshme e Kosovës sqaron se në rang vendi janë ndërruar vetëm 3 targa, në Dragash, Prizren dhe Leposaviç. Shefja e kabinetit e këtij institucioni, Jeta Tela-Shema, pohon se ka interesim të madh nga qytetarët në veri për të zbatuar vendimin e qeverisë, por po pengohen nga propaganda që bëhet nga Serbia. Ajo sqaroi dhe çfarë do të ndodhë pas 31 tetorit, kur skadon afati i dhënë për ndërrimin e targave të lëshuara nga Serbia me ato që lëshohen aktualisht nga shteti i Kosovës: “Natyrisht, ky proces ka edhe një fund që është data 31 tetor dhe pas kësaj date është legjislacioni në fuqi që parasheh se të gjitha automjetet të cilat nuk janë të regjistruara nuk do t’iu mundësohet qarkullimi në Republikën e Kosovës apo në pikëkalimet kufitare”.
E gjithë kjo vjen në një kohë kur Beogradi dhe Prishtina, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, po tentojnë të arrijnë një marrëveshje për çështjen e targave.