Një veteran britanik i Luftës së Dytë Botërore, i cili tashmë i ka mbushur 99 vjet, ka vendosur që të ecë 2.5 kilometra nëpër oborrin e shtëpisë për të mbledhur të holla për sistemin shëndetësor të vendit në kohën e pandemisë, ndonëse mund të lëvizë vetëm me ndihmën e një pajisjeje.
Oborri i shtëpisë së veteranit Tom Moore është 25 metra i gjatë dhe ai po planifikon të sillet 100 herë nëpër të para se t’i mbushë 100 vjet në fund të këtij muaji.
Tomi e filloi ecjen nëpër oborr në Bedfordshire të hënën e kaluar në përpjekje për të mbledhur të holla për spitalet publike.

Vetëm katër ditë pas fillimit të ecjes, ish-inxhinieri i ndërtimtarisë është mahnitur me rezultatin pasi deri më tani i ka grumbulluar 46 mijë funte, shkruan “Metro UK”.
Ai e shprehu dëshirën për t’i ndihmuar sistemit shëndetësor, sepse ishte i kënaqur me trajtimin që ia kishin bërë mjekët në kohën kur po luftonte me kancerin e lëkurës në kokë para disa viteve.
“Po më duket mirë. Moti është i këndshëm, nuk do të mund të kërkoja më mirë”, tha ai përderisa i bënte 10 xhiro në ditë.
Në 12 vjetët e fundit, ai jeton në shtëpinë e vajzës së vet, e cila i ka dy fëmijë. Ajo tha se është krenare me babanë e vet dhe me synimin e tij fisnik për të mbledhur të holla për spitalet.