Vetëvendosja e quan skandal heqjen e urdhërarrestit ndaj Radojçiqit

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me heqjen e urdhëarrestit ndaj Milan Radojçiqit, i dyshuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal.

Vetëvendosje thotë se një vendim i tillë i Gjykatës Themelore përbën skandal dhe rrezik, duke thënë se kushdo që ka marrë këtë vendim të papritur, e sheh si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.

“Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës. Prokuroria speciale dhe Gjykata themelore duhet t’i shpjegojnë publikut të Kosovës se pse nuk u dashka arrestuar më një kriminel. Po ashtu i bëjmë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të veprojnë. Rasti në fjalë është skaji i pasigurisë që mundet të shkaktojë për rendin publik ata që duhet ta mbrojnë atë. I bëjmë thirrje po ashtu organeve të sigurisë dhe atyre ligjzbatuese të jenë vigjilente përballë kësaj ngjarje”, thuhet në reagimin e VV-së.

Kjo parti ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të përgjigjen se pse kanë hequr dorë nga përndjekja e Radojçiqit dhe “këto bashkëpunime me krimin e organizuar tash në kohën e ndërrimit të qeverisë janë tërësisht të papranueshme dhe duhet të hetohen”.

“Si qeverisje e ardhshme jemi të përcaktuar qartë në funksion të sundimit të ligjit e triumfit të së drejtës. Por kjo gjë siç po dëshmohet nuk mund të arrihet me gjykatës e prokurorë që kanë shumë borxhe ndaj politikës apo ndaj krimit të organizuar. Andaj na duhet vetingu në gjyqësi e prokurori, na duhen profesionistë patriotë që i shërbejnë ligjit e vendit e jo burokratë në shërbim të krimit. As atij vendor e as atij rajonal”.

Share This Article