Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka nominuar kryetarin e partisë, Albin Kurti si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Gjysma e spektrit politik përdori çdo mjet të mundshëm që të mos ndërtohen institucionet vitale të shtetit, vetëm për ta argumentuar që Vetëvendosje nuk ka mundësi të ecë e vetme. Që të jemi deri në fund të sinqertë, qëllimi jonë nuk ka qenë kurrë të ecim vetëm. Verdikti i popullit nuk ishte që të ecim vetëm, por me partnerin tonë. E bëmë ne edhe këtë me ftesat tonë, por u refuzuam. Refuzimi nuk është fundi i botës. Meqë u refuzuam pritëm që opozita ta bënte qeverinë, meqë ndodhi kjo. Numrat objektivisht ishin, por ata refuzuan ta bëjnë edhe qeverinë. LVV-në nuk e lanë, vetë nuk deshën ta bëjnë qeverinë, prandaj qytetarët me të drejtë pyesin, atëherë çka duan këta në të vërtetë. Ata vetëm duan të bllokojnë gjithçka ashtu që bllokimi i shtetit të fillojë të duket si dobësim i Vetëvendosjes. Kjo është një agjendë tepër e dëmshme dhe unë do të quaja anti-shtetërore”, tha nënkryetar i LVV Glauk Konjufca.
Konjufca theksoi më tej se opozita tregoi në këto 9 muaj se janë në gjendje të shkojnë deri në humnerë për qëllimet e tyre penguese.
“Edhe nëse nuk ka buxhet e paga, nuk ka lidhje thonë ata, me rëndësi Albin Kurti me dështu. Kjo do të thotë me e sakrifiku shtetin që Albin Kurti me dalë keq. Shkurtëpamësi e mjerueshme dhe e paparë deri tash. Për krejt këtë maskaradë dhe përmes kësaj po mendojnë se kështu e rrisin mbështetjen në popull. E pabesueshme. Por shyqyr që jemi në demokraci”, theksoi numri dy i Vetëvendosjes.
Ndërkohë, kreu i VV-së Albin Kurti theksoi se Kosova po shkon në zgjedhje pa dëshirën e tij, por me shtysën e atyre që refuzojnë bashkëpunimin.
“Jemi para zgjedhjeve të reja, pa dëshirën time dhe pa vullnetin e Lëvizjes sonë, por si pasojë e refuzimit nga subjektet tjera për të pasur çfarëdo bashkëpunimi me neve. Asnjë nga to nuk po arrin ta pranojnë realitetin e sidomos nga to që iu ofruam bashkëpunim. Së pari më refuzun mu e pastaj edhe Glauk Konjufcën, të dyja herët të gjithë votuan bashkë kundër qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Me fjalë të tjera e refuzuan konstituimin, e refuzuan qeverinë Kurti 3, e refuzuan qeverinë Konjufca 1, por gjithashtu janë të njëjtët që refuzuan Albulena Haxhiun, gruan më të votuar në legjislaturën e nëntë për kryetare dhe janë të njëjtët që refuzuan edhe marrëveshjet ndërkombëtare edhe buxhetin e shtetit, buxhetin e komunave e refuzuan ta financojnë RTK-në dhe sot të bashkuar, po gjendemi para zgjedhjeve të reja dhe me rreziqet financiare”, deklaroi Kurti.




