Pas Opinionit të Komisionit të Venecias, Kuvendi i Kosovës po punon për t’i dhënë fund amendamenteve Kushtetuese për vetingun dhe Byronë e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme te zyrtareve.
Para vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve do kërkohet mendim për amendamentet edhe nga Gjykatë Kushtetuese.
2023-shi pritet të jetë vendimtar për reformën në drejtësi në Kosovë. Adnan Rrustemi deputet i Vetëvendosjes dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacionin, thekson amendamentet kushtetuese për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të jenë gati gjysmën e parë të vitit. Por sfida e miratimit në Kuvend qëndron.
“Fillimi i punës për vetingun në drejtësi do të bëhet në pjesën e dytë të vitit 2023. Tash ka edhe sfida kuptohet, pasi amendamentet kushtetuese kërkojnë dy të tretat e gjithë deputetëve dhe dy të tretat e deputetëve që mbajnë vende të rezervuara. Por kjo është pjesë politike, kur duhet një diskutim më i gjerë në faza më të mëvonshme, por besoj se do të krijohet konsensusi, pasi vetingu është një proces në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie”
Adnan Rrustemi deputet i Vetëvendosjes dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacionin
Në mënyrë që dispozitat të mos jenë të rrëzueshme nga pikëpamja kushtetuese, para së të miratohen amendamentet kushtetuese për vetingun, do të vlerësohen paraprakisht nga Gjykatën Kushtetuese.
“Do të synohen ndryshimet kushtetuese për vetingun. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese presim të shqyrtohen dhe miratohen në Kuvend. Paralelisht mendojmë të punojmë edhe me ligjin për procesin e vetingut dhe çfarëdo ligji tjetër që implikon ky proces. Shpresojmë që brenda periudhës gjashtë mujore që ka përcaktuar Kuvendit të përmbyllim krejtësisht këtë proces, në kuptimin e miratimit të bazës kushtetuese dhe ligjore dhe të fillimit të trupave”.
Adnan Rrustemi deputet i Vetëvendosjes dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacionin
Sipas tij, komentet e Komisionit të Venecias për këtë projektligj i kanë sheshuar të gjitha shqetësimet e atyre që kanë kundërshtuar themelimin e byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Komisioni i Venecias i ka heshtur gjitha shqetësimet për byronë. Venecia i ka heshtur të gjitha shqetësimet të bazuara apo të pabazuara të secilit që ka kundërshtuar këtë Projektligj, madje edhe të atyre që kanë kundërshtuar shqyrtimin në Kuvend dhe kërkesat të tërhiqet nga Qeveria. Është konfirmuar nga mazhoranca që është bërë mirë që nuk është tërhequr, pasi ne kemi vlerësuar se ka hapësirë për adresimin e rekomandimeve. Ne jemi të interesuar që ky Projektligj të jetë me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Gjithmonë duke pasur parasysh se konfiskimi civil është një dukuri e rrallë do të them unë, siç është edhe vet fenomeni i pasurimit të pajustifikueshëm të zyrtarëve publik. Nuk ka më justifikime për të kundërshtuar, përveçse nëse ka motive subjektive”
Adnan Rrustemi deputet i Vetëvendosjes dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacionin
Deputeti i mazhorancës thotë se pas Opinionit të Komisionit të Venecias me miratimin final të Byrosë, do të adresohet fenomeni shqetësues i pasurimit të pajustifikueshëm të zyrtarëve publikë në Kosovë.
Gjatë javës që lamë pas është konstituar Komisioni Ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar në Kuvend, detyrë e të cilit do të jetë administrimi i gjithë procesit të vetingut në drejtësi.