Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mund të arrijnë marrëveshje për kapërcimin e dallimeve që po e mbajnë të bllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, Muhamed Halili dhe Vasko Naumovski.
Pritjet e tyre pozitive ata i bazojnë në agjendën e Qeverisë së re bullgare, që përskaj aspekteve historike, dy vendet të bisedojnë edhe për bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturën, kulturën, shëndetësinë dhe çështje të tjera që janë në interes të përbashkët.
Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, ka thënë se për këto çështje duhet të formohen grupe pune dhe rezultatet e para të shihen brenda gjashtë muajve.
Puna e tyre pritet të nisë pas formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, me të cilën do të udhëheqë Dimitar Kovaçevski.
Muhamed Halili, ish-diplomat dhe kryetar i Këshillit të Ambasadorëve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se zgjidhja e kontestit mes dy vendeve varet edhe nga rrethana tjera, përfshirë edhe zgjedhjet në Francë, vend i cili do të kryesojë me Bashkimin Evropian, në gjashtë muajt e parë të vitit 2022.
Ai mendon se për shkak të ndjeshmërisë së zgjerimit të BE-së, që ekziston në Francë, zyrtarët e atjeshme nuk do të nguten që problemin ndërmjet Sofjes dhe Shkupit ta zgjidhin para zgjedhjeve presidenciale në Francë.
“Unë konsideroj se është e vështirë të saktësohet nëse do të ketë zgjidhje për një periudhë prej gjashtë muajve pasi gjatë kësaj kohe mund të ndodhin shumë gjëra, të pritura apo të papritura. Megjithatë, vlerësoj se Maqedonia e Veriut ka gjasa që konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, ta mbajë diku nga fundi i muajit maj, atëherë kur do të mbarojë fushata parazgjedhore në Francë. Besoj se atëherë do të ketë një zgjidhje të përkohshme për vendin”, thotë Halili.
Bullgaria në vitin 2019 ka bllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut duke e kushtëzuar konferencën e parë ndërqeveritare me zgjidhjen e dallimeve lidhur me gjuhën, identitetin maqedonas dhe të kaluarën historike.
Sofja kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Por, Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeministër për çështje evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se plani i ri i Qeverisë bullgare jep shpresa për lëvizje pozitive që mund të çojnë në një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve.
“Fushat që po përmenden ndoshta mund të çojnë në përafrimin e dy shteteve dhe dy popujve, nëse kjo bëhet në një frymë konstruktive pasi vendosja e komunikimit akademik, kulturor, në infrastrukturë, ekonomi e kështu me radhë, mund të thellojë bashkëpunimin mes dy vendeve, pasi më parë palët më shumë ishin të fokusuar në aspektet historike. Besoj se qasja e re e Qeverisë bullgare do të jetë ndryshe nga ai i Qeverisë së kaluar”.
“Ndoshta gjashtë muaj janë shumë, por nëse ka një frymë pozitive besoj se mund të kemi rezultate edhe më herët. Gjërat nuk ndryshojnë brenda natës dhe mendoj se edhe kryeministrit bullgar do t’i duhet kohë për të bindur opinionin e atjeshëm se gjërat po ndryshojnë dhe se ka rezultate konkrete mes dy shteteve”, thotë Naumovski./REL/