Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat e ka cilësuar ligjin e vettingut si një ligj nul, ku shton se degradimi i tij është kryerja e shantazhit mbi policinë.
Vasili vijon më tej në fjalën e tij, duke premtuar që opozita do ta anulojë këtë ligj menjëherë pasi të fitojë zgjedhjet e 25 prillit, duke e zëvendësuar me një ligj që të kërkojë pastërti.
Deklarata e Vasilit:
Ky është një nga aktet më të rënda që mund të ndodhte. Degradimi i këtij ligji ishte kryerja e shantazhit edhe mbi policin më të thjeshtë, duke i kërkuar atij edhe faturat e llacit të banesës së ndërtuar 27 vjet më përpara, të atyre shumë banesave të varfra, të shumë policëve që vijnë nga familje të thjeshta, të ndërtuara me solidaritetin e vëllezërve, kushërinjve, të gjithë bashkë për të siguruar mbijetesën në banimin e tyre. E këta mijëra policë mbahen nën shantazh, e kokat e policisë të përfshira në krim, në trafik, në korrupsion, në drogë e gjithçka kalojnë lehtësisht vettingun, qofshin këta edhe ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit.
Ky vetting është nul, është zero. Opozita, pas fitores së 25 prillit, do të anulojë këtë ligj të vettingut, do ta shfuqizojë, do ta zhdukë një ligj të tillë të poshtër e të shëmtuar, i cili është një ligj që kërkon vetëm e vetëm transformimin e policisë në një polici politike, ushtare të Edi Ramës dhe jo ushtare të ligjit, apo ushtare të qytetarit të thjeshtë, që ti shërbejë atij për ti qëndruar prapë, për ti garantuar siguri, për ti treguar që ligji është në krahun e qytetarit dhe jo në krahun e trafikantit, horrit dhe të kriminelit.
Prandaj do ta anulojmë këtë ligj dhe do të bëjmë një ligj, që do të kërkojë një pastërti të jashtëzakonshme, qelibar, për të gjithë krerët e policisë sepse populli me të drejtë thotë që: ‘Peshku qelbet nga koka’, e nuk do të lejojmë kurrë që njerëz të inkriminuar të vazhdojnë të qeverisin Policinë e Shtetit.