Vox News.al publikoi sot videon ekskluzive nga momenti i shoqërimit të 32-vjeçarit Lear Kurti dhe pamjet rrëzojnë pretendimin e opozitës se ndaj tij është ushtruar dhunë fizike nga efektivët.
Por, kjo nuk do të thotë se Policia del e pafajshme në këtë ngjarje. Siç mund të shihet lehtësisht në pamjet e mëposhtme, i riu është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pa ndjenja, teksa efektivi i Policisë mundohet ta ngrejnë me forcë.
Në atë gjendje që ndodhej Lear Kurti, uniformat blu nuk duhet ta kishin prekur fare me dorë dhe aq më keq t’i kishin vendosur prangat apo edhe ta shoqëronin në komisariat siç vepruan tre efektivë në videon e mëposhtme.
Ata duhet të njoftonin ambulancë dhe të prisnin bluzat e bardha në vendin e ngjarjes deri në momentin kur të vinin për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore.
Policia jo vetëm që nuk lajmëroi ambulancën, por e mori të riun dhe e çoi në komisariat dhe më pas e çuan të vdekur në spital.
Për gjatë gjithë kësaj kohe, nëse efektivët do kishin vepruar siç duhet, ndoshta mjekët do kishin vepruar në momentin e duhur dhe sot Lear Kurti do ishte gjallë.
Tre efektivët u pezulluan vetëm për tre ditë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe mbetet për t’u parë nëse ata do të përjashtohen përgjithmonë nga radhët e uniformave blu, pas publikimit të pamjeve që tregojnë qartë se ata nuk kanë vepruar siç duhet dhe mund të konsiderohen indirekt fajtorë në vdekjen e Lear Kurtit.
Ky i fundit, fillimisht iu bë me shenjë për të ndaluar nga Policia në zonën e ish-parkut të Autobusave në kryeqytet, por nuk iu bind dhe u largua duke u kapur më pas nga patrulla tjetër në zonën e “Don Boskos”. gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se ka gëlltitur dy dozat e kokainës që i sollën dhe vdekjen nga mbidoza.