Hajdutë të maskuar kanë arritur të kryejnë një vjedhje në një argjendari në mes të ditës, duke përdorur një veturë Mini Cooper për të hyrë me forcë në lokalin nga ku morën stoli të shtrenjta.
Pamjet amatore të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një veturë të kuqe, pa targa në pjesën e përparme, e cila godet dyert e argjendarisë në Surrey të Britanisë së Madhe.
Hajdutët e godasin disa herë derën me veturë dhe, në mes të ditës, hyjnë brenda për të kryer vjedhjen, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Pasi kryejnë vjedhjen, largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me të njëjtën veturë. Më vonë, ajo është gjetur e përplasur në një zonë malore, jo shumë larg argjendarisë.
Policia britanike nuk ka vonuar në arrestimin e njërit prej të dyshuarve, i cili është dërguar në spital për trajtim, pasi kishte pësuar lëndime në kraharor gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.