Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe një veteriner, i kanë shkuar në ndihmë të dielën një shqiponje, që ishte keqtrajtuar në fshatin Buhal. Për këtë rast policia u njoftua nga shtetasja S. L.
Një shtetas, për të cilin policia po punon për ta identifikuar, kishte plagosur dhe më pas e ka lidhur shqiponjën, në një portë, me qëllim balsamosjen e saj të gjallë.
“Rasti, me një impakt të lartë publik në rrjetet sociale, u vlerësua me seriozitet dhe menjëherë nga shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin e këtij krimi që parashikohet dhe ndëshkohet nga Kodi Penal. Shpendi (shqiponja), aktualisht po merr ndihmë të specializuar mjekësore nga veterineri, i cili ka asistuar shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve për lirimin e shpendit, nga porta ku ishte lidhur.”, thuhet në njoftimin e policisë.