Vizita e ministres së Jashtme, Elisa Spiropali sot në Vlorë është shoqëruar me kritika të ashpra nga tregtarët e tregut industrial.
Siç duket nga pamjet, ata shihen teksa e presin me tone të ashpra, duke shprehur pakënaqësinë për situatën me të cilën po përballen prej kohësh.
“Turp që vini në Vlorë, se e kini shkulur me themel. T’iu vijë rëndë që vini në Vlorë”, iu drejtua një qytetare ministres, gjatë përplasjes verbale, ndërsa Spiropali u përgjigj se ndodhej në qytet për një çështje tjetër,
Gjatë komunikimit me tregtarët, ministrja ka deklaruar se nuk ka qenë e informuar në mënyrë të plotë mbi problematikat e tregut industrial, por ka premtuar se do të angazhohet për t’u njohur më nga afër me situatën. Ajo u shpreh se do të zhvillojë bisedime me kryetaren e Bashkisë së Vlorës dhe me anëtarët e Këshillit Bashkiak për të diskutuar çështjet e ngritura nga tregtarët.
“Do të flas me kryetaren dhe me anëtarët e këshillit bashkiak që të njihem më konkretisht me problemin tuaj”, mësohet t’u ketë thënë Spiropali përfaqësuesve të tregtarëve.
Ministrja e Jashtme ndodhej në Vlorë për të marrë pjesë në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa akoma drejt BE”, aktivitet gjatë të cilit fokusi ishte tek procesi i integrimit europian, por vizita e saj u shoqërua nga tensione jashtë axhendës zyrtare, duke nxjerrë në pah pakënaqësitë e tregtarëve ndaj autoriteteve vendore.

