Mbrëmjen e djeshme, Gjermania fitoi me rezultatin 2-0 në ndeshjen kundër Danimarkës në Iduna Park duke siguruar edhe një biletë për në fazën çerefinale të Euro 2024.
Mbrëmja nuk ishte edhe aq e qetë për arbitrat apo lojtarët, për shkak të reshjeve të shumta të shiut në formë rrebeshi dhe rrufetë që ndërprenë lojën për 24 minuta.
Por kjo nuk ishte pengesa e vetme që ndeshja të vijonte normalisht. Fillimi i pjesës së dytë është vonuar për shkak se një person i panjohur i maskuar me çantë shpine ishte ngjitur në çatinë e stadiumit.
“Një person është ngjitur në çatinë e stadiumit në orën 22:27. Forcat e policisë morën pjesë për të folur me personin dhe për të siguruar kalimin e sigurt nga çatia. Për ta bërë këtë, helikopteri i policisë ndriçoi çatinë e stadiumit. Për momentin, nuk mund të jap informacion për motivin dhe identitetin e këtij njeriu”, tha zëdhënësi i policisë gjermane Peter Bandermann të shtunën.
Sot mediat gjermane, bënë me dije se bëhej fjalë për një 21-vjeçar nga Osnabruck, një qytet në veri të Dortmundit. Ai është arrestuar nga policia, ndërsa mësohet se nuk pati rrezik për persona të tjerë në stadium. I riu i maskuar ishte arsyeja përse kapitenët e Gjermanisë dhe Danimarkës, Ilkay Gundogan dhe Kasper Schmeichel shikonin drejt çatisë së stadiumit të Dortmundit me gjyqtarin Oliver dhe ndoqën aksionin e policisë.