Gjatë bashkëbisedimit me ministren dhe stafin mjekësor Kryeministri theksoi se duhet të vendosen orare, sepse në disa qendra si në Vlorë, ka patur pak dyndje, pasi janë lajmëruar të gjithë në orën 10:00. “Kjo është pakuptim, duhet të vendosen orare, që t’u thuhet 10, 11, 12 e kështu me radhë deri në mbrëmje, dhe mund ta çojmë edhe me tre turne po qe nevoja”, tha Rama.
Një i moshuar në qendrën e vaksinimit në kombinat iu drejtua Kryeministrit: “Rrofsh, t’u bëftë dita 1000 që na ndihmove për këtë vaksinë!”. “Të rrosh ti e të rroni ju! Kjo është e rëndësishme”, iu përgjigj Rama.
Vaksinimi antikovid për të moshuarit është shtrirë ditën e sotme edhe në qarkun e Elbasanit. Në qendrat e vaksinimit të ngritura pranë qendrave shëndetësore, procesit të vaksinimit i nënshtrohen personat mbi 70 vjeç.
Sipas grupmoshave, bazuar në planin kombëtar të vaksinimit, vijohet fillimisht me grupmoshën +85 vjeç dhe +80 vjeç të cilët do të vaksinohen në qendrat e tyre shëndetësore, ndërsa grupmosha +75 vjeç dhe duke zbritur tek ajo +70 vjeç, do të vaksinohen në qendrat e vaksinimit të përqendruar.
Që prej fillimit të procesit të vaksinimit, në të gjithë vendin janë kryer mbi 65 mijë vaksinime.