Të paktën tre persona kanë vdekur në një valë të nxehtë përvëluese që po nxit dhjetëra zjarre në pjesë të Evropës Jugore, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
BBC raporton se alarme të kuq nga vapë janë lëshuar në pjesë të Italisë, Francës, Spanjës, Portugalisë dhe Ballkanit, duke paralajmëruar rreziqe të konsiderueshme për shëndetin, ndërsa temperaturat kalojnë mbi 40 gradë Celsius.
Shërbimi meteorologjik i Spanjës, Aemet, tha se temperaturat mund të arrijnë 44 gradë Celsius në Sevilje dhe Kordoba, ndërsa edhe Portugalia jugore mund të arrijë 44 gradë Celsius.
Në Spanjë, një punonjës i një qendre hipizmi vdiq pasi pësoi djegie të rënda në Tres Cantos, pranë Madridit, ku erërat mbi 70 km/orë shkaktuan flakë pranë shtëpive, duke detyruar qindra njerëz të largoheshin.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha të martën se shërbimet e shpëtimit “po punojnë pa u lodhur për të shuar zjarret”.
“Jemi në rrezik ekstrem nga zjarret në pyje. Ju lutemi të jeni shumë të kujdesshëm”, shtoi ai në një postim në X.
Në rajonin veriperëndimor të Spanjës, Castile dhe Leon, u evakuuan pothuajse 4,000 persona dhe u raportuan më shumë se 30 zjarre, ndërsa njëri kërcënonte Las Médulas, i listuar në UNESCO, i njohur për minierat e tij të lashta të arit.
2,000 persona të tjerë u evakuuan nga hotelet dhe shtëpitë pranë qendrës turistike të Tarifës në rajonin jugor të Andaluzisë.
Pothuajse 1,000 ushtarë luftuan me zjarret në të gjithë vendin, tha të martën në mëngjes njësia kombëtare e emergjencës ushtarake e Spanjës.
Në Portugalinë fqinje, zjarrfikësit luftuan me tre zjarre të mëdha, ku më seriozi pranë Trancoso-s u kontrollua në qendër të vendit të martën.
Më shumë se 1,300 zjarrfikës dhe 14 avionë u vendosën në vendngjarje. Maroku dërgoi dy aeroplanë pasi bombarduesit me ujë portugezë u prishën, raportoi Reuters. Autoritetet paralajmëruan se rajonet jugore mund të arrinin 44 gradë Celsius, me temperaturën që nuk pritet të bjerë nën 25 gradë Celsius.
Një fëmijë vdiq nga goditja nga nxehtësia në Itali të hënën, ku temperaturat pritet të arrijnë 40 gradë Celsius më vonë këtë javë. Alarme të kuqe për vapë ishin në fuqi për të paktën 10 qytete italiane, përfshirë Romën, Milanon dhe Firencen.
Një djalë katërvjeçar rumun, i cili u gjet pa ndjenja në një makinë në Sardenjë, u transportua me helikopter në një spital në Romë, por vdiq për shkak të dëmtimit të pakthyeshëm të trurit, që thuhet se është shkaktuar nga goditja nga nxehtësia, thanë autoritetet mjekësore për AFP.
Pothuajse tre të katërtat e Francës janë nën alarm për vapë, me temperaturat që parashikohen të arrijnë 36 gradë Celsius në rajonin e Parisit dhe 40 gradë Celsius në Luginën e Ronës.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, tha se spitalet ishin të përgatitura për pasojat e valës së dytë të të nxehtit që ka goditur vendin brenda vetëm pak javësh.
Greqia po lufton me më shumë se 150 zjarre në të gjithë vendin, të përkeqësuara nga erërat e forta, me gati 5,000 zjarrfikës dhe dhjetëra avionë që po merren me shuarjen e flakëve.
Evakuime masive janë duke u zhvilluar në ishullin turistik Zakynthos dhe në Akainë perëndimore, ku flakët kanë shkatërruar shtëpi, automjete dhe biznese.
Grigoris Alexopoulos, kryebashkiaku i Akaisë perëndimore, tha se zjarret në rajon ishin jashtë kontrollit, duke shtuar se disa zona bregdetare janë “dëmtuar në mënyrë të pariparueshme”.
Anijet e shpëtimit kanë evakuuar plazhistët e bllokuar nga flakët që përparojnë në Kios dhe autoritetet kanë kërkuar disa avionë zjarrfikës të BE-së. Autoritetet greke paralajmërojnë se kushtet mund të bëhen edhe më sfiduese në ditët në vijim.
Turqia ka vënë nën kontroll disa zjarre të mëdha, përfshirë ato në Çanakala dhe Izmir, pasi qindra persona u evakuuan dhe Ngushtica e Dardaneleve dhe aeroporti i Çanakalasë u mbyllën.
Në Mal të Zi, një ushtar vdiq dhe një tjetër u plagos kur cisterna e tyre e ujit u përmbys ndërsa po luftonte zjarret pranë kryeqytetit Podgoricë.
Zjarret në Shqipëri i detyruan njerëzit të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre të hënën, ndërsa në Kroaci një zjarr i madh shpërtheu në Split dhe u vu nën kontroll të martën.
Pjesë të Mbretërisë së Bashkuar po përjetojnë valën e katërt të të nxehtit të vitit, me temperatura që arrijnë në 33 gradë Celsius dhe alarme shëndetësore për nxehtësinë ngjyrë qelibar dhe të verdhë në fuqi për të gjithë Anglinë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po i bën verat mesdhetare më të nxehta dhe më të thata, duke nxitur sezone zjarresh më të gjata dhe më intensive.