Të paktën 3 persona kanë humbur jetën si pasojë e valës përvëluese të të nxehtit dhe zjarreve që kanë shpërthyer rreth Europës Jugore duke detyruar mijëra vetë të braktisin shtëpitë e tyre.
Një sërë shtetesh, si Franca, Spanja, Portugalia dhe vendet e Ballkanit janë në alarm të kuq për të nxehtin ekstrem që po rrezikon jetët e qytetarëve, me temperaturat që i kanë tejkaluar 40 gradët. Shërbimi meteorologjik në Spanjë, tha se temperaturat mund të arrijnë ne 44 gradë në Seville dhe Cordoba, e po ashtu në Portugali termometri pritet të kapë këtë vlerë.
Në Spanjë ku një person ka humbur jetën si pasojë e zjarrit në Tres Cantos, pranë Madridit, kryeministri Pedro Sanchez tha se përballen me rrezik ekstrm për shkak të zjarreve pyjore dhe se ekipet e shpëtimit po punojnë papushim për ti shuar ato. Mbi 4 mijë vetë janë evakuar nga rajoni I Castille dhe Leon në Spanjë, ku më shumë se 30 vatra vijojnë të digjen. 1 mijë ushtarë janë angazhuar për të luftuar flakët rreth vendit.
Në Portugalinë fqinje, zjarrfikësit po përpiqen të shuajnë 3 vatra të mëdha, me më seriozen pre tyre, pranë Trancoso që u vu nën kontroll të martën.
Mbi 1300 zjarrfikës dhe 14 avionë janë angazhuar. Një fëmijë humbi jetën si pasojë e goditjes nga vapa në Itali, ku temperaturat janë pranë 40-gradëshit. 10 qytete italiane, përfshirë Romën, Milanon dhe Firencen janë në alarm të kuq.
Greqia po lufton me më shumë se 150 zjarre rreth vendit të cilat po ushqehen nga erërat e forta, me gati 5 mijë zjarrfikës dhe dhjetëra avionë të angazhuar për shuarjen e flakëve.
Evakuime masive kanë prekur ishujt turistik të Zakinthos, Kefalonia, dhe Achaian Perëndimore, ku zjarret kanë shkatërruar shtëpi, automjete e biznese. Turqia tha se kishte vënë nën kontroll disa vatra të mëdha, përfshirë në Izmit, pasi qindra vetë u evakuuan dhe ngushtica e Dardaneleve dhe aeroporti i Kanakales u mbyll.
Në Mal të Zi një ushtar humbi jetën dhe një tjetër u plagos kur një cisternë uji u përmbys teksa luftonin me flakët pranë kryeqytetit Podgorice.