Dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner i njoftoi muajin e kaluar, planet e kompanisë së tij Affinity Partners për të investuar në Ballkan, ku përfshihet edhe Shqipëria. Kushner, një ish ndihmës i lartë i Trump kur ai ishte president, krijoi firmën e investimeve pasi u largua nga detyra në vitin 2021.
Projektet mund të nxisin ekonomitë lokale duke joshur vizitorët, por ato janë përballur me kundërshtimin e vendasve që kanë frikë se do të dëmtojnë mjedisin ose, në rastin e Beogradit, do të kërcënojnë vendet me rëndësi kulturore shkruan agjencia e lajmeve Reuters.
Kushner i paraqiti planet disa javë pasi parlamenti i Shqipërisë ndryshoi një ligj që lejonte qeverinë të japë leje ndërtimi në zonat e mbrojtura për hotele ose resorte me pesë yje ose më shumë. Kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha përshëndeti projektin e Kushnerit, i cili përfshin porte jahtesh, pishina dhe vila ekskluzive, duke thënë se ai planifikoi ta kthejë qytetin në një “destinacion turistik të nivelit të lartë” dhe u zotua të mos dëmtojë mjedisin. “Pa investim, si do t’i tërheqim gjithë këta njerëz që vijnë këtu dhe zgjedhin Vlorën?” tha Dredha.
Planet e Kushnerit, të cilat vendasit i quajnë “vilat e Trump”, tashmë po bëjnë bujë. Agjenti i pasurive të paluajtshme Flori Brahimaj tha se çmimet për apartamentet me një pamje të mundshme mbi truallin e planifikuar të projektit tashmë janë rritur midis 100-200 euro për metër katror.
Në Serbi, Affinity planifikon të financojë një projekt luksoz në Beogradin qendror që do të përfshijë një hotel, apartamente, dyqane dhe hapësira zyrash në vendin ku qëndronte selia e Ushtrisë Popullore Jugosllave deri në vitin 1999 kur NATO e bombardoi atë si pjesë e një fushate ajrore kundër mizorive serbe në Kosovë.