Në kampin e Real Madridit po rriten zërat për një përçarje të mundshme mes trajnerit Xabi Alonso dhe yllit brazilian Vinicius Junior. Sipas mediave spanjolle, marrëdhënia mes të dyve nuk është më e qetë, pasi sulmuesi ka luajtur të plotë vetëm 3 nga 13 ndeshje, ndërsa zëvendësimi i tij gjatë El Clásico-s ka shtuar tensionet brenda skuadrës.
Në këtë situatë, një ofertë e majme nga Arabia Saudite pritet të mbërrijë në muajt e ardhshëm, si për klubin ashtu edhe për lojtarin. Thuhet se shifra mund të arrijë në rreth 200 milionë euro, dhe burime pranë klubit madrilen tregojnë se Xabi Alonso nuk do të kundërshtonte nëse braziliani do të largohej.
Në rast të një shitjeje të tillë, Reali do të kishte në dorë një buxhet të madh për të bërë një tjetër goditje të madhe në merkato.
Një nga emrat më të përfolur është ai i Erling Haaland, sulmuesit norvegjez të Manchester City-t. Ish-drejtuesi i Evertonit, Keith Wyness, ka lënë të kuptohet se Reali mund të përgatisë një superofertë për ta sjellë bomberin në Spanjë.
 
															
 
                                


