Talibanët kanë arrestuar katër të rinj në qytetin Herat të Afganistanit, pasi ata u fotografuan të veshur me rroba të frymëzuara nga seriali britanik “Peaky Blinders”, raportojnë mediat lokale. Të rinjtë, të cilët mbanin pallto të gjata, kapele dhe veshje të stilizuara ngjashëm me personazhet e familjes Shelby, u akuzuan nga policia e moralit për “promovim të kulturës së huaj”.
Fotografitë e tyre u përhapën gjerësisht në rrjetet sociale afgane ditët e fundit, ku disa përdorues i quajtën me humor “Jebrael Shelbys”. Para arrestimit, grupi kishte dhënë një intervistë në kanalin “Herat Mic”, ku shpjegonin se stili i veshjes ishte thjesht shprehje admirimi për modën e serialit dhe se reagimet e qytetarëve kishin qenë përgjithësisht pozitive, përcjell A2 CNN. Njëri prej tyre tha se, përveç stilit modern, ata donin gjithashtu të promovonin veshjet tradicionale të komuniteteve të ndryshme etnike në Afganistan.
Zëdhënësi i Ministrisë për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, Saiful Islam Khyber, deklaroi se sjellja e tyre ishte “në kundërshtim me vlerat islame dhe kulturën afgane”. Ai publikoi gjithashtu një video ku një nga të rinjtë shprehte pendesë për veprimet e tij.

Nën regjimin taliban, shumë qytetarë janë ndaluar më parë për shkelje të perceptuara të kodeve të veshjes, nga ndalimi i prerjes së mjekrave te ndalimi i stileve të flokëve të konsideruara “perëndimore”. Aktivisti i të drejtave të njeriut në Kabul, Ahmadullah Waak, thotë se këto arrestime tregojnë se kufizimet ndaj shprehjes personale po zgjerohen gjithnjë e më shumë, duke përfshirë zgjedhjen e rrobave, aktivitetet në rrjete sociale dhe formën e prezantimit artistik.
Vitin e kaluar, talibanët shpallën ndalimin e fotografive të “të gjitha qenieve të gjalla”, si pjesë e interpretimit të tyre ekstrem të ligjit islam. Ndërkohë, paradoksalisht, zyrtarët talibanë vazhdojnë të publikojnë rregullisht foto të njerëzve në platformat online. Sipas autoriteteve, ky ligj synon të zbatohet gradualisht në të gjithë shoqërinë afgane. (A2 Televizion)




