Ka shtatë vjet që është përzgjedhës i Përfaqësueses së Zvicrës, ndërsa në Kampionatin Evropian të këtij viti, ai për të tretën herë rresht u kualifikua në fazën e nokautit. Mirëpo, në “Euro 2020”, Vladimir Petkoviq shkoi një hap më larg, pasi eliminoi kampionen e botës në fuqi, Francën në 1/8 e finales pas penalltive. Kjo është hera e parë në histori që Zvicra kualifikohet në çerekfinale të Evropianit në paraqitjen e saj të pestë në këtë turne.
“Askush nuk duhej të më jepte asgjë, unë fitova gjithçka vetë”, tha Petkoviq 57-vjeçar, i cili udhëtoi nga Sarajeva përmes Sllovenisë deri në Zvicër, ku jeton dhe punon tashmë 33 vjet.
Petkoviq është kroat i lindur në Sarajevë kurse prindërit e tij kanë punuar në arsim. Ai ishte një mesfushor me teknikë të përkryer, kurse filloi të luante futboll në moshën 11-vjeçare te klubi Ilixha përpara se të tërhiqte vëmendjen e skuadrës së Sarajevës.
“Në moshën 14-vjeçare, hyra te juniorët e Sarajevës dhe nënshkrova kontratën time të parë profesionale. Si profesionist, kam luajtur në Sarajevë për pesë vjet, deri në vitin 1987. Pas kësaj, u hap ajo mundësia e njohur e heqjes së kufijve të moshës për lojtarët, dhe kontrata ime sapo kishte skaduar dhe unë shkova në Zvicër”, kujton Petkoviq.
Ai fitoi titullin e kampionatit të ish-Jugosllavisë me Sarajevën në vitin 1985 dhe pastaj, pas një episodi të shkurtër te Koperi në Slloveni, Petkoviq ndërroi disa klube zvicerane: Chur, Sion, Martigny, Bellinzona, Locarno dhe Buochs. Ai ishte një trajner-lojtar te Bellinzona dhe ngadalë i përkushtua tërësisht zejes së trajnerit. Në Zvicër, Petkoviq mësoi të punojë me lojtarë të kombësive të ndryshme.
“Unë vij nga një ambient ku shumë kombe janë të integruara dhe megjithëse janë të gjitha nga e njëjta zonë, ato janë fetarisht dhe kulturalisht të ndryshme. Unë u largova nga shtëpia herët dhe bëra shumë rrugë, isha në Slloveni për një kohë dhe pastaj shkova në Zvicër shumë herët. Për mua ishte gjithçka normale, nuk kisha ndonjë vështirësi. Tani si trajner gjithashtu më sjell disa përfitime sepse jam mësuar me jetën, duke përshtatur veten ose njerëzit e tjerë në të menduarit tim”, shtoi Petkoviq.
Një kapitull interesant i jetës së Petkoviqit është sigurisht angazhimi i tij si punonjës social në shoqatën humanitare katolike “Caritas” në Giubiasco, në kantonin Ticino. Ai punoi atje për pesë vjet.
“Integrimi është një nga çështjet më të rëndësishme, jo vetëm në sport, por edhe në jetë. Në këtë aspekt, kam pasur përvoja shumë të mira dhe pozitive kur kam punuar për pesë ose gjashtë vjet në ‘Caritas’, ku kam takuar jo vetëm njerëz të kombeve dhe feve të ndryshme, por edhe njerëz të pasur e të varfër. Aty duhet të jesh i përshtatshëm dhe të jesh burrë që të përpiqesh të zgjidhësh të gjitha këto probleme”, u shpreh ai.
Ai ka folur edhe për ngjashmërinë që e sheh në zejen e trajnerit në krahasim me punën që e ka bërë te “Caritasi”.
“Në të dy vendet e punës, ne punojmë me njerëz, me grupe njerëzish dhe punojmë në motivimin e tyre. Në të dy rastet, ka të bëjë me mësimin e njerëzve për të bërë diçka në një mënyrë të caktuar ose për të ndjekur disa ide, idetë tuaja. Disiplina duhet të jetë e pranishme. I vetmi ndryshim është gjendja financiare e këtyre njerëzve. Por në fund të fundit, kur një njeri punon, kur e bën më të mirën, nëse jo nesër, atëherë pasnesër gjithçka do të kthehet me siguri”, thotë Petkoviq.
Petkoviq te Zvicra punon me një kroat tjetër, sulmuesin Mario Gavranoviq, i cili i siguroi vazhdimet kundër Francës në Bukuresht me golin e shënuar në minutat e fundit të ndeshjes. Por, ekziston edhe shembulli i kundërt i kroatit zviceran që zgjodhi Kroacinë, Ivan Rakitiqit.
“Mendoj se është një ndikim mjaft i madh financiar, sepse lojtarët po shikojnë se ku do të fitojnë më shumë. Por, sigurisht nuk është e njëjta gjë për të luajtur për ekipin kombëtar të Zvicrës ose për ekipin kombëtar të Kroacisë. Në ekipin kroat, vlera e lojtarëve kërcen me rezultatet e ekipit kombëtar dhe popullaritetin e tij”, u shpreh Petkoviq. “Kjo i jep lojtarit mundësinë të zgjedhë në cilin klub do të vazhdojë karrierën e tij dhe në cilat kushte financiare. Patriotizmi te këta të rinj është mbase në prapavijë, që vjen më shumë nga prindërit e tyre dhe ambienti me të cilin ata janë të rrethuar, sesa nga vetë të rinjtë që u rritën këtu dhe shkuan në shkollë”.
Ai qëndroi në Zvicër deri në vitin 2011, kur shkoi për pak kohë jashtë vendit. Ai nuk bëri emër te Samsunspori në Turqi, e as në Sion, ekip të cilin e udhëhoqi në vetëm katër ndeshje. Megjithatë, Petkoviq bëri punën e duhur në Lazio nga viti 2012 deri në vitin në 2014, duke fituar Kupën e Italisë. Kjo i hapi dyert atij që të pasojë Felix Magath në krye të Zvicrës pas Kampionatit Botëror “Brazili 2014”. Petkoviq ka bërë edhe një krahasim mes futbollit zviceran dhe atij kroat.
“Në Zvicër, gjithçka është e organizuar ndryshe, shumë më e sigurt. Një gjendje e shëndetshme e futbollit është e pranishme. Sjellja ndaj gjyqtarëve dhe audiencës është gjithashtu e rëndësishme. Kroacia ka filluar të bëjë diçka edhe në këtë fushë, por vë re që vendet e tjera të ish-Jugosllavisë janë shumë më të vogla. Këtu klubet duhet të jenë gjithmonë të shëndosha financiarisht dhe të paraqesin fuqi financiare. Në Kroaci, nuk është ende aq e qartë kjo situatë”, tha Petkoviq, i cili insiston se e dëshiron politikën gjithmonë larg fushës së futbollit.
“Duhet të ndahet! Politikanët janë të mirëpritur, si të gjithë njerëzit e tjerë, të jenë tifozë të një klubi të veçantë. Por përzierja nuk bën. Politika nuk duhet të ketë asnjë pikë kontakti me sportin. Ndërhyrja e politikës e dëmton sportin”, insistoi Petkoviq.