Çdo përdorues shpenzoi vitin e kaluar mesatarisht pothuajse 9200 lekë për shërbime të komunikimeve celulare. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vitin e kaluar shpenzimi mesatar i shqiptarëve për këto shërbime u rrit me rreth 16% krahasuar me një vit më parë.
Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celulare (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë. Sipas këtij treguesi, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit për të katërtin vit radhazi.
Gjithashtu, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për çdo minutë thirrje celulare vitin e kaluar u rrit në 5.54 lekë për minutë, 16% më shumë, krahasuar me një vit më parë.
Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë.
Ulja e numrit të operatorëve celularë në vend ka ndikuar në shtrenjtimin e paketave të komunikimit. Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit, si me parapagesë, ashtu edhe me kontratë, por ndërkohë kanë ulur edhe njësitë e përfshira të komunikimit në to, duke sjellë si rezultat një shtrenjtim edhe më të lartë të shprehur për njësi.
Ndërkohë, në fillim të vitit 2024, të dy operatorët celularë, kanë përcaktuar në kushtet e përgjithshme të kontratës të drejtën e tyre për të indeksuar çdo vit çmimin e paketës me inflacionin mesatar vjetor.
Sipas informacionit të raportuar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), dy operatorët celularë fituan afërsisht 1.68 miliardë lekë për 2024, ndërsa viti 2023 ishte mbyllur me një fitim neto në vlerën e 370 milionë lekëve.
Vodafone Albania arriti një fitim neto në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, ndërkohë që një vit më parë kishte realizuar një fitim neto prej rreth 300 milionë lekësh.
Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2024 me një fitim neto në vlerën e 476 milionë lekëve, nga 70 milionë lekë që kishte qenë rezultati i raportuar një vit më parë.
Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 27.93 miliardë lekë, në rritje me 8.9% krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat e AKEP tregojnë se numri total i abonentëve celularë ose kartave SIM në fund të vitit 2024 arriti në rreth 3.4 milionë, e thënë ndryshe çdo banor në Shqipëri posedon rreth 1.4 karta SIM, shifёr kjo mё e lartё se mesatarja europiane prej 1.25 karta SIM pёr banorё.
Ndërsa, numri i kartave SIM aktive (numri i kartave tё përdorura për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.5 milionë, në rënie vjetore me 3.8%. / MONITOR