Kur të bashkohet me Kosovën, javën tjetër, Mërgim Vojvoda mund të konsultohet me tre bashkëlojtarë të përfaqësueses për futbollin në Itali.
Këshillat e Samir Ujkanit, Amir Rrahmanit e Valon Berishës mund të jenë me shumë vlerë për 25-vjeçarin që luan kryesisht në krahun e djathtë të mbrojtjes. Ujkani, Rrahmani e Berisha kanë përvojë plotësisht të ndryshme në Serie A dhe këshillat e tyre mund t’i japin një pamje të kompletuar Vojvodës për sfidat që e presin.
Vojvoda të enjten është zyrtarizuar si futbollist i ri i Torinos. Ai ka bërë hap të madh në karrierë duke u transferuar në klubin e njohur italian nga klubi belg, Standard Liege. Me Torinon, Vojvoda ka nënshkruar kontratë të vlefshme për katër vjet.
“Jam shumë i lumtur të jem këtu. Po shikoj para për t’u bashkuar me ekipin dhe për të filluar me sfidën e re”, kishte thënë Vojvoda me të arritur në Itali, dy ditë më parë.
Ishte raportuar për një kalim të Vojvodës te Atalanta, por ai megjithatë përfundoj te Torino. Mediat italiane kanë raportuar që transferimi i mbrojtësit të djathtë të Kosovës do t’i kushtojë Torinos rreth 5,5 milionë euro. Vojvoda të premten (sot) do të flasë në konferencë për shtyp.
Kalimi nga një ligë tjetër evropiane në topligat kontinentale, ku llogaritet të bëjë pjesë Serie A, nuk është gjithnjë i suksesshëm. Ka sfida që duhet kaluar dhe për këtë Vojvodës mund t’i flasë Valon Berisha.
Mesfushori Berisha ishte toplojtar te topskuadra austriake, RB Leipzig. Për Leipzigun kishte luajtur me shumë sukses nga viti 2012 deri në vitin 2018. Më 3 korrik të vitit 2018 ishte transferuar te Lazio, ndërsa kishte firmosur për pesë vjet. Ishte raportuar se transferimi kishte kushtuar 7,5 milionë euro.
Berisha, tani 27-vjeçar, në Austri ishte shquar edhe për konsistencën që kishte. Por kishte telashe për të përballur me sukses ritmin në Itali.
Me të kaluar te Lazio kishte pasur probleme me lëndime muskulore. Më pas lëndoi pulpën, ndërsa në pranverë të vitit të kaluar kishte edhe një operim, pas lëndimit në gju.