Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi akuzon qeverinë se dështoi me arsimin në situatën e pandemisë. Në një deklaratë për mediat ajo tha se mësimi i shkurtuar nuk është efikas, mësimi i alternuar nuk funksionon dhe mësimi online është gati i pamundur.
“Për pak ditë, nxënësit mbyllin një semestër të vështirë. Askush nuk mund të thotë se ky ishte një vit shkollor që nisi mirë. Pandemia nxori në pah dështimin e Edi Ramës me arsimin në këto 7 vjet.
Këto tre muaj të rihapjes së shkollave kemi sjellë me qindra dëshmi të përkeqësimit të kushteve në shkolla nga mësues, nxënës dhe prindër.
Për shkak të dështimit të Edi Ramës dhe braktisjes së arsimit, mbi 425 mijë nxënës mësuan në një sistem të dobësuar arsimor, mbi 34 mijë mësues u keqpërdorën me mësimin me 2,3 dhe 4 turne, pa u shpërblyer siç duhet.
Dështimi i Edi Ramës për të siguruar kushtet minimale për ruajtjen e shëndetit të mësuesve rezultoi katastrofik. Vetëm nga informacionet e bëra publike, janë të paktën 13 mësues të ndarë nga jeta për shkak të Covid-it.
Rihapja e shkollave pas pandemisë nxori në pah se Edi Rama ishte pa asnjë plan për arsimin dhe vazhdoi t’i linte në mëshirë të fatit nxënësit dhe mësuesit pa shpenzuar asnjë qindarkë për sigurinë e shëndetit të tyre.
Zero lekë për të përballuar pandeminë në arsim, sepse zero është shqetësimi i Edi Ramës për shkollat.
Zero lekë për mësimin online. Megjithëse kishin 9 muaj në dispozicion për të ndërtuar një platformë online dhe për të siguruar akses në këtë platformë nga të gjithë nxënësit dhe mësuesit, asgjë nuk ndodhi.
Edi Rama dështoi sërish, edhe me mësimin online. Platforma nuk funksionoi asnjë ditë dhe mijëra fëmijë i marrin mësimet akoma me Ëhatsapp dhe zoom.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore në qytet mbi 60 përqind e familjeve nuk kanë një kompjuter apo lap top, ndërsa në fshat janë mbi 80 përqind e familjeve pa një pajisje që mundëson mësim normal online.
Mësuesit ngrenë shqetësimin që, në shumë raste, vetëm 1/3 e nxënësve mund të ndjekin mësimin online. Kjo edhe për shkak të mungesës së internetit, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për të siguruar internet falas për familjet në nevojë.
Për fat të keq, nxënësit nuk po mund të marrin mësim cilësor dhe kjo pranohet hapur si nga mësuesit, ashtu edhe nga prindërit e shqetësuar.
Për shkak të një kryeministri të dështuar dhe të paaftë, që nuk e ka prioritet arsimin, në Shqipëri po rritet një brez COVID. Dhe një brez analfabetësh funksionalë, që është rritur me përmasa të rrezikshme, mbi 60%.
As mësimi fizik 25-30 minutësh nuk është efikas, as mësimi i alternuar nuk funksionon dhe mësimi online është gati i pamundur, sepse Shqipëria qeveriset nga një kryeministër i dështuar.
Partia Demokratike propozoi një plan konkret për të ruajtur cilësinë e arsimit dhe për të siguruar kushte normale për shëndetin gjatë pandemisë. Edi Rama refuzoi ta zbatonte atë plan dhe nuk investoi për të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.
Edi Rama flet shumë dhe punon pak ose aspak. Ai është një kryeministër pa plan për arsimin, pa plan për ruajtjen e jetës dhe shëndetit në shkolla, pa plan për një arsim më të mirë.
Dështimi i Edi Ramës me arsimin këto 7 vjet, veçanërisht gjatë pandemisë po u kushton fëmijëve dhe të rinjve të ardhmen. Vendi ynë nuk mund të përballojë dot rritjen e analfabetëve funksionalë, për shkak të paaftësisë së kryeministrit të vendit.
Mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre meritojnë një qeveri që punon për ta! Boll më me braktisjen e arsimit! Është koha për ndryshim” tha ajo.