BE dhe Britania e Madhe duhet të synojnë një marrëveshje ambicioze të tregtisë së lirë pas Brexit dhe të mos kënaqen me një marrëveshje minimale, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Sigurisht, Britania e Madhe mund të vendosë që të kënaqet me pak, por, personalisht unë mendoj se ne duhet të tregohemi më ambiciozë”, tha von der Leyen, në seancën plenare të Parlamentit Europian.
“Do të ishte një model i ri biznesi, një ambicie unike për sa i përket qasjes në tregun e vetëm, por natyrisht kjo do të kërkonte garanci kundër konkurrencës së padrejtë dhe mbrojtjen e standardeve sociale, mjedisore dhe të konsumatorit”, paralajmëroi kreu i ekzekutivit europian.
Britania e Madhe u largua nga Bashkimi Evropian më 31 janar, pasi ka qenë anëtare e tij për 47 vjet.
Partia konservatore në fuqi është zotuar të lidhë një marrëveshje tregtare me Brukselin para përfundimit të një periudhe tranzicioni të planifikuar deri në fund të dhjetorit 2020, të cilën nuk pranon ta zgjasë./ATSH/