Të gjitha gjykimet e Gjykatës së Drejtësisë të BE-së janë detyruese dhe ligji i BE-së ka përparësi mbi të drejtën kombëtare, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese polake kundër epërsisë së ligjit të Komunitetit Evropian.
“Traktatet tona janë shumë të qarta. Ne do të përdorim të gjitha fuqitë që kemi sipas Traktateve për ta siguruar këtë”, theksoi von der Leyen.
“Unë jam thellësisht e shqetësuar”, shtoi ajo, duke shpjeguar se “kishte udhëzuar shërbimet e Komisionit për të bërë një analizë të plotë dhe të shpejtë të vendimit”, për të vendosur në lidhje me hapat e ardhshme.
Dje Gjykata Kushtetuese e Polonisë, e udhëhequr nga gjyqtarja Julia Przylebska, vendosi që disa rregulla të BE-së janë të papajtueshme me Kartën Kushtetuese të Polonisë.
“Vlerat e paqes dhe lirisë dallojnë kontinentin tonë. Unë e di që në këtë moment disa vende na bëjnë të vuajmë dhe shpresojmë që ata të rishikojnë qëndrimet e tyre, por ne nuk mund të lejojmë asnjë nga 27 vendet anëtare të shkelë traktatet. Ne do të jemi krejtësisht jofleksibël”, deklaroi presidenti i Parlamentit të BE-së, Davide Sassoli.
Sot, kryeministri polak Mateusz Morawiecki siguroi se Polonia dëshiron të mbetet në Bashkimin Evropian duke thënë se “vendi i Polonisë është dhe do të jetë në familjen e kombeve evropiane”.

