Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka pritur sot në Bruksel të 6 liderët e Ballkanit Perëndimor, ku në fokus të takimit ishte pikërisht integrimi i tyre në Bashkimin Evropian.
Von der Leyen tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Evropës dhe deri në anëtarësimin e plotë të tyre duhet që integrimi të nis gradualisht me përafrimin e ekonomive të rajonit me atë të BE përmes Planit të Rritjes të prezantuar më herët.
“Sot prita liderët e gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Të gjashtë vendet i përkasin Evropës. Kjo është ajo që ne po punojmë. Paralelisht, ne po i afrojmë ekonomitë dhe tregjet e tyre me tonat me Planin tonë të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin”, shkruan Von der Leyen.
I pranishëm në këtë drekë pune ishte edhe kryeministri Edi Rama, ku u bë edhe foto familjare e 6 liderëve të Ballkanit Perëndimor me kryetaren e KE-së Ursula von der Leyen.
Ky është takimi i parë që kryetarja e Komisionit të Evropës ka bërë me liderët e rajonit pas marrjes së mandatit të saj të dytë në krye të këtij institucioni. Gjatë takimi Von der Leyen ka informuar liderët e rajonit lidhur me programin dhe misionin që do të ndjekë KE kë 5 vitet e ardhshëm, ku theksi vihet te zgjerimi i BE-së.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Edi Rama ka mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, Oliver Röpke mbi hapat e mëtejshëm drejt BE-së dhe krijimin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.