Votuesit në Angli mëngjesin e sotëm kanë filluar të hedhin votat e tyre për të zgjedhur më shumë se 1.600 këshilltarë për 23 autoritete lokale, si dhe dy kryetar bashkie lokal dhe katër kryetar bashkie me autoritet të kombinuar, transmeton Anadolu.
Votuesit në 23 këshilla angleze do të zgjedhin këshilltarët dhe kryetarët e bashkive në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që nga zgjedhjet e përgjithshme të korrikut të vitit 2024 që sollën Partinë Laburiste përsëri në pushtet.
Nga 23 autoritetet lokale ku mbahen zgjedhje, 14 janë këshilla qarqesh, përkatësisht në Cambridgeshire, Derbyshire, Devon, Gloucestershire, Hertfordshire, Kent, Lancashire, Leicestershire, Lincolnshire, Nottinghamshire, Oxfordshire, Staffordshire, Warwickshire dhe Worcestershire.
Anglezët po ashtu po votojnë në tetë autoritete unitare, përkatësisht në Buckinghamshire, Cornwall, Durham, Northamptonshire Veriore, Northumberland, Shropshire, Northamptonshire Perëndimore dhe Wiltshire.
Këshilli metropolitan në Doncaster gjithashtu po zhvillon zgjedhje.
Zgjedhje zhvillohen gjithashtu për dy kryetar bashkie me autoritete lokale dhe katër kryetar bashkie me autoritete të kombinuara në Cambridgeshire dhe Peterborough, Greater Lincolnshire, Hull dhe Yorkshire Lindore, si dhe në Anglinë Perëndimore.
Ndërkohë, votuesit në Runcorn dhe Helsby do të zgjedhin anëtarin e tyre të ri të parlamentit në zgjedhje të pjesshme pas dorëheqjes së deputetit laburist Mike Amesbury.
Skocia, Uellsi dhe Irlanda Veriore nuk po mbajnë zgjedhje.
Më shumë se gjysma e vendeve në të gjitha autoritetet lokale aktualisht mbahen nga Partia Konservatore kryesore e opozitës, e cila pritet të përballet me humbje të mëdha, derisa zgjedhjet janë prova e parë për Partinë Laburiste të kryeministrit Keir Starmer pas fitores dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit me kohën lokale dhe do të mbyllen në orën 22:00.