Prokuroria Speciale në Prishtinë ka ngritur aktakuzë në mungesë për krime lufte ndaj shtatasve L.D dhe V.O.
Të pandehurit akuzohen, se gjatë periudhës 1998 – 1999 në Gjakovë, në bashkëveprim me njëri-tjetrin dhe me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Sipas aktakuzës, më 25 dhe 26 mars 1999, në rrugën “Tahir Efendiu”, gjatë një aksioni të forcave policore serbe, ku morën pjesë edhe të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë, është vrarë një civil dhe janë keqtrajtuar gjashtë të tjerë të nacionalitetit shqiptar.
Po ashtu sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se, të pandehurit, në bashkëkryerje, kishin rrethuar shtëpinë e të dëmtuarit N.K., ku ndodheshin N.K., M.M., S. G., B.G., B.Sh., A.C., dhe Q. Sh., të cilët janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht.
Më pas ata i kishin detyruar të ngarkojnë në kamionin e policisë të gjitha materialet e ndihmës që ndodheshin në objektin e shoqatës humanitare “Nënë Tereza”, dhe më pas janë futur me dhunë në një kamion dhe janë dërguar në stacionin policor të Gjakovës.
Ndërsa, në stacionin policor, të dëmtuarit janë ndarë nëpër qeli të ndryshme, ku kanë qëndruar për 24 orë pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore, duke u rrahur dhe keq-trajtuar vazhdimisht nga ana e të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të policisë serbe me shufra gome, shkelma dhe grushte.
I arrestuari M.M., në ditën kur është nxjerrë nga qelia, më 26 mars 1999, ishte gjetur i vrarë në afërsi të urës së Taliqit, në Gjakovë.