Një nga vrasësit serialë më të këqij të Shqipërisë është mes 17 vrasësve të dënuar që The Sunday Telegraph mundi të zbulojë se do të deportohen në vendin e tyre, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit sipas një marrëveshjeje të re.
Vrasësi i pesëfishtë, Mane Driza, 45 vjeç, i cili përdori pseudonimin e personazhit të Al Pacino-s, Scarface, është ndër galerinë e vrasësve dhe mashtruesve, dënimet e grumbulluara të të cilit në Mbretërinë e Bashkuar arrin gjithsej 336 vjet. Vendimet janë dhënë nga një gjykatë britanike.
Ai do të deportohet sipas një marrëveshjeje të ratifikuar javën e kaluar, ku Britania do t’i paguajë Shqipërisë 4 milionë paundë në vit për të rimarrë 200 nga kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë të burgosur për vepra penale, përfshirë vrasjen, përdhunimin, vjedhjen me banesa dhe tregtimin e drogës.
Ata do të kryejnë të njëjtën kohë dënimi siç do të kishin bërë në Britaninë e Madhe, por kjo do t’i kushtojë Britanisë vetëm një të katërtën e çmimit vjetor prej 40 mijë paundë, i cili, për këtë grup vrasësish, do të kishte qenë 13.4 milionë paundë gjatë 336 viteve.
Driza – i njohur gjithashtu si Tony Montana, apo Scarface – kishte qëlluar për vdekje baba e bir në Shqipëri në vitin 1997 përpara se të ikte në MB me një emër të supozuar. Në vitin 1999, ai vrau një bashkatdhetar, Stefan Mone, një baba i ardhshëm, duke shkaktuar 120 lëndime me përdorimin e një thike, sëpate dhe thike djathi.
Ai iku në Itali, ku vrau dy burra në një bar në Sicili gjashtë muaj më vonë, duke shmangur me vështirësi vrasjen e një të treti kur iu bllokua arma.
I intervistuar në burgun në Sicili nga detektivët e Scotland Yard, ai pretendoi se Mone kishte planifikuar ta vriste atë për t’u hakmarrë për vrasjet e tij të mëparshme. Ai u dënua me burgim të përjetshëm, për të kryer një minimum prej 20 vjetësh.
Një i dytë që do të dëbohet është Koci Selamaj, 37 vjeç, një ish-punonjës garazhi i dënuar me minimum 36 vjet burg për vrasjen e mësueses së shkollës fillore Sabina Nessa, në shtator 2021.
Refuzimi i tij për t’u paraqitur në bankën e të akuzuarve për të dëgjuar dënimin e tij ka bërë që Sekretari i Drejtësisë, Alex Chalk, të rishkruajë ligjet e Mbretërisë së Bashkuar për të detyruar shkelësit të përballen me gjykatat.
Vrasësi i dyfishtë Ali Qazimaj, 49 vjeç, u burgos për të paktën 35 vjet pasi vrau çiftin e pensionistëve Peter Stuart, 75 vjeç dhe gruan e tij Sylvia 69, pranë shtëpisë së tij në Suffolk në qershor 2016. Ai kishte punuar si kujdestar për një të afërm të dhëndrit të Stuarts dhe kufoma nuk është zbuluar kurrë.
Erland Spahiu, 34 vjeç, u dënua me një minimum prej 35 vitesh për rolin e tij në rrëmbimin dhe vrasjen e ish-boksierit Christopher Hughes në Lancashire. 37-vjeçari pësoi gati 100 lëndime të veçanta, pasi ishte ndjekur nga një bandë vigjilente, e cila gabimisht besonte se babai kishte përdhunuar një adoleshente.
Kriminelë të tjerë ndërkaq pritet të bëhen me dije për deportimin e tyre drejt Shqipërisë.