Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, dha detaje për mediat mbi vrasjen e dyfishtë që tronditi Velipojën mbrëmjen e së hënës.
“Mendohet se shkak i këtij konflikti është një debat mes dy viktimave dhe pronarëve të një hoteli, Eduart dhe Gëzim Frroku. Debati ka ndodhur në 28 qershor të këtij viti, mes kamarierit dhe kuzhinierit të këtij lokali”, tha Sulaj.
Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi u qëlluan me armë zjarri dhe humbën jetën në spital nga plagët e marra.
Qyteza bregdetare e Velipojës u trondit mbrëmjen e djeshme nga të shtëna me armë zjarri, që lanë fillimisht të plagosur shtetasit Arsid Hoxha (22 vjeç) dhe Ersild Ishmi (33 vjeç).
Të plagosurit u transportuan me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës ku ndërruan jetë më pas. Policia e Shkodrës ka zbuluar se në drejtim të tyre është qëlluar me armë nga dy vëllezërit, e identifikuar si Eduart dhe Gëzim Frroku.
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka zbuluar në një prononcim për mediat se shkak për vrasjen me armë të Hoxhës dhe Ishmit, është bërë një konflikt i mbartur nga data 28 qershor, mes kamarierit dhe kuzhinierit të hotelit, që është në pronësi të vëllezërve Frroku.
Njoftimi i policisë:
Më datë 19.08.2024, rreth orës 21:00, në Velipojë, dyshohet se për motive të dobëta, dy vëllezërit E.F., dhe G. F., dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit A. H., dhe E. I, të cilët u transportuan menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Shkodër por si pasojë e plagëve të marra humbën jetën në spital.
Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, si grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Njëkohësisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.