Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy ish-zyrtarë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), të akuzuar për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë mundësuar punësimin e një shtetasi në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit zyrtar, në gjyq janë dërguar ish-drejtori i përgjithshëm i AMP-së, A.S., si dhe drejtori i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, G.S. Ata akuzohen se, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat përkatëse, kanë lejuar punësimin e shtetasit M.Sh. pa kryer verifikimet e nevojshme.
Hetimet lidhen me procedimin penal nr. 8566 të vitit 2025, nga ku rezulton se M.Sh., i cili më vonë humbi jetën pas një atentati me armë zjarri pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ishte punësuar në AMP në mënyrë të jashtëligjshme.
Prokuroria bën me dije se procesi i rekrutimit ka anashkaluar të gjitha fazat e parashikuara në ligj, përfshirë shpalljen e vendeve vakante, ngritjen e komisionit të vlerësimit, testimet dhe verifikimet përfundimtare. Sipas hetimeve, dokumentacioni është përgatitur nga G.S., ndërsa vendimmarrja është marrë nga drejtori i përgjithshëm i komanduar i kohës, A.S.
Në urdhrin e punësimit është përdorur motivacioni “për nevoja emergjente”, por sipas Prokurorisë, nuk ekziston asnjë provë që ndonjë strukturë e AMP-së të ketë kërkuar rekrutime të tilla.
Gjithashtu, rezulton se shtetasi M.Sh. është punësuar brenda një kohe shumë të shkurtër, vetëm në katër ditë pune, dhe është paguar rregullisht për një periudhë gati dy mujore, pa u paraqitur asnjëherë në detyrë apo pa kryer ndonjë funksion.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë qenë të vetëdijshëm për shkeljet ligjore dhe mungesën e kritereve, por pavarësisht kësaj kanë vijuar procedurën, duke futur në strukturë një person pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë.
Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga gjykata.


